Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hapur së fundmi procesin e regjistrimit për pelegrinazhin e Haxhit 2024. Në postim thuhet se çmimi i Haxhit për këtë vit është 6000 euro dhe se regjistrimet kryhen vetëm pranë Zyrës së Haxhit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Në videon që shoqëron këtë njoftim thuhet se Haxhi është obligim për besimtarët myslimanë, por nga ana tjetër vetë besimtarët thonë se me këto tarifa Haxhi është i paarritshëm.
“Xhadat” u interesuan fillimisht në numrin e telefonit të vënë në dispozicion nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në lidhje me shërbimet që ofron paketa për Haxh, ku mësuan se kohëzgjatja ishte 20 ditë. Arsyet se përse një periudhë kaq e gjatë qëndrimi kur ritet e Haxhit, mund të kryhen edhe brenda tri apo katër ditësh mbeten enigmë. Për përfaqësuesin e KMSH Arabia Saudite i ka rritur çmimet, çka ka sjellë rritje edhe tek ne.
“Xhadat” bënë një hulumtim në lidhje me çmimet në 10 vite të paketës së Haxhit nga Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, ku rritjet pas pandemisë janë drastike. Nëse në vitin 2014 Haxhi ka kushtuar 2700 euro, e ka ardhur duke u rritur deri në vitin 2019 në 3700 euro, në vitin 2022 çmimi ka pësuar rritje me 900 euro , duke shkuar në 5800 euro gjatë vitit 2023. Këtë vit çmimi ka vazhduar rritjen me 200 euro, duke u rrumbullakosur në 6000 euro.
Pra në harkun kohor të 10 viteve, çmimet e vizitës në Haxh për besimtarët mysliman shqiptarë janë rritur me më shumë se 50 përqind.
Gazetarët kërkuan një sqarim në lidhje me çmimin e lartë të vizitës në Haxh, nga institucioni që i përcakton ato, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ku ndonëse nisën paraprakisht edhe pyetjet, askush nuk pranoi të jap një intervistë sqaruese.



