Përmbytjet dhe moti i keq kanë krijuar situatë kritike në Lezhë dhe Kurbin.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim me Shtabin e Emergjencave për masat që pritet të merren për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Në Bashkinë e Lezhës janë evakuuar 4 familje, të strehuara në konviktin e shkollës profesionale.
Në lagjen “Sake” disa banesa mbeten të rrezikuara, ndërsa situata në Kallmet mbetet kritike, ku rezervuari ka arritur nivelin maksimal. Probleme raportohen dhe në Dragushë e Dajç.
Në Kurbin, një familje është evakuuar në fshatin Gjorm, ndërkohë që Forcat e Ushtrisë janë dislokuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Ndërhyrje po kryhen edhe në tre ura që kanë pësuar dëmtime, ndërsa hidrovoret dhe kanalet kulluese punojnë me kapacitet të plotë për të shmangur përmbytjet e mundshme.
Policia ka shtuar patrullat në akset më të rrezikuara për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtjen e banorëve. OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë mëngjesin e sotëm, por furnizimi është rikthyer pas ndërhyrjeve teknike.



