
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, për takimin e Kryeministrit me krerët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe nëse Edi Rama po tenton sërish atë që bëri vite më parë me të ashtuquajturën “Deklaratë të Tiranës”, një vendim të unifikuar për qëndrimin politik të partive shqiptare në vendin fqinj, thotë se takimi i 5 viteve të shkuara në Tiranë u krye në rrethana të tjera.
Duke folur nga studio e lajmeve të MCN TV, Milo tha se takimi i pesë viteve më parë ka ndryshim me atë të mbrëmshmin i cili ishte në formën e një darke pune, jo thjesht për rrethanat por edhe përmasat e takimit.
Ai tha gjithashtu se nuk është zbuluar plotësisht se çfarë u diskutua dhe nuk e ka pasur atë synim që ka pasur 5 vite më parë, ku Maqedonia ishte në një situatë shumë më delikate se tani se ishte para një vendimmarrje të rëndësishme për të hapur dritë jeshile për procesin e integrimit qe ishte bllokuar.
Në rrethanat e takimit të mbrëmshëm, Maqedonia e Veriut vinte në situatë tjetër, tashmë është bërë anëtare e NATO-s, janë hapur negociatat për në Bashkimin Europian, rrethanat janë më pozitive, vendi është më i stabilizuar, por është një vend që gjithmonë ka probleme.
Realiteti është që ka nevojë për tu bërë ndryshime kushtetuese, se Bullgaria kërcënon me veto nëse nuk bëhen ndryshime kushtetuese se nuk marrin statusin e minoritetit.
VMRO-DPMNE e kundërshton një ndryshim të tillë dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.
Ka një situatë që e bën të tensionuar situatën në Maqedoni, ku BDI rrezikon statusin e partisë së parë mes shqiptarëve, Lëvizja BESA ka fituar komunën e Tetovës, i ndodhur në aleancë me VMRO-DPMNE mban qëndrim tjetër.
Ka një përpjekje për të luajtur një rol konsulence dhe ku Kryeministri Rama në vijim të qëndrimeve të mëparshme, kërkon të unifikojë partitë politike shqiptare, kërkon të thotë fjalën e vetë.
Ai bën detyrën e vetë në vijim të asaj që ka bërë 5 vite më parë. Këtu mesazhi që mund të jetë dhënë, lë të kuptohet duke gjykuar në rrethanat e Maqedonisë së Veriut se ka pasur 2-3 çështje themelore.
E para që të mbështetet kjo qeveri që është, se një krizë qeverie do rrëzonte në radhë të parë elementin shqiptar, siç është BDI.
Do jepte shkas për një përçarje politike, që do dëmtonte partinë e Kovaçevskit, që është aleat i PS.
Ndryshimet kushtetuese duhen bërë në emër të integrimit të Maqedonisë, dhe që mos ketë një krizë që mund të çojë në zgjedhje të parakohshme, gjë që opozita është duke e kërkuar me forcë.
Problemet e brendshme të Maqedonisë së Veriut, mendoj se kanë qenë kryesoret që janë diskutuar dje dhe mendoj se është kërkuar edhe mendimi i Kryeministrit shqiptar.



