
Heqja e Kopshtit Botanik nga asetet e Universitetit te Bashkia konsiderohet vendim i padrejtë prej rektorit, Mynyr Koni. Ai e konsideron arbitrar dhe të padrejtë vendimin e qeverisë për kalimin e Kopshtit Botanik në varësi të bashkisë së Tiranës.
Koni shprehet se në dy mbledhjet e fundit të senatit të Universitet, anëtarët e këtij institucioni në mënyrë të padenjë kanë nxjerrë arsye për të mos marrë një vendim përfundimtar nga Universiteti.
Sipas Konit, vendimi i qeverisë që e kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës është i paligjshëm dhe është bërë në shkelje të të gjitha ligjeve e rregullave të shtetit shqiptar.
Deklaratë për shtyp e Rektorit te Universitetit te Tiranës prof.dr. Mynyr Koni:
Me anë të kësaj deklaratë për shtyp, në cilësinë e Rektorit të UT, dua të informoj të gjithë stafin e Universitetit të Tiranës, por sidomos pedagogët dhe ish-pedagogët e nderuar, studentët dhe stafin ndihmës, që pothuajse për 65 vjet, kanë kontribuar në formimin dhe zhvillimin e Kopshtit Botanik, një strukturë në varësi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, deri tani pronë në përgjegjësi administrimi e Universitetit të Tiranës, dhe sigurisht, nëpërmjet kësaj deklarate, dua të informoj edhe mbarë opinionin publik, sesi qëndron në fakt e vërteta mbi Kopshtin Botanik dhe Vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave në lidhje me të, si një çështje sa e rëndësishme, por edhe delikate për pasojat që sjell ky Vendim në Universitetin e Tiranës.
Me Vendimin nr.510 datë 17.07.2019 të Këshilllit të Ministrave ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292 (Kopshti Botanik) dhe për një ndryshim në Vendimin nr.430 datë 02.07.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Universitetit të Tiranës’, të ndryshuar, i botuar në Fletoren Zyrtare nr.105 datë 19 Korrik 2019, është bërë kalimi i Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Sipas këtij Vendimi, Universitetit të Tiranës i hiqet prona me emërtimin ‘Kopshti Botanik’ dhe i kalon në pronësi Bashkisë Tiranë.
Së pari dëshiroj të theksoj me forcë se, marrja e këtij Vendimi është në shkelje të hapur të autonomisë të Universitetit të Tiranës dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e arsimit të lartë 80/2015.
Që nga shkresa e parë zyrtare në lidhje më këtë çështje dhe deri në daljen e këtij Vendimi, si në shumë çështje dhe problematika të tjera që ka patur Universiteti i Tiranës, procedura është sa e parregullt nga ana ligjore, por edhe me një mungesë të theksuar transparence nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por edhe nga Bashkia Tiranë.
Dua të bëj me dije se, brenda afateve të parashikuara ligjore, drejtoria Juridike e UT ka hartuar kërkesë padinë me objekt: Shfuqizimin e VKM nr.510 datë 17.07.2019, e cila është depozituar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, në datën 07.08.2019.
Të nderuar pedagogë, studentë dhe personel i UT, dhe mbarë opinioni publik
Në vitet e mia si Rektor i Universitetit të Tiranës, i detyruar nga situatat e krijuara në këtë institucion, disa herë kam dalë me deklarata për shtyp apo me statuse në rrjete sociale për çështje të ndryshme.
Gjithmonë jam përpjekur të shpjegoj dhe të tregoj sesi qëndron në fakt e vërteta për çështje të caktuara që kanë ndodhur në UT. Dhe këtë e kam bërë me fakte dhe prova, sikurse edhe në këtë rast. …Dhe gjithmonë ia kam dalë.
Si pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe si ish- student i atij fakulteti, ju siguroj se do të vazhdoj me të gjithë forcën time dhe të ligjit, të kundërshtoj këtë VKM, deri në anullimin e tij.
Të gjithë autorët dhe bashkëautorët që kanë marrë pjesë në këtë maskaradë, dua t’i siguroj se një ditë, do të japin llogari dhe do të përgjigjen jo vetëm para ligjit, por edhe para fëmijëve apo nipërve të tyre; apo edhe ata që nuk reaguan apo nuk ngritën zërin për ta ndalur atë, dhe me veprimet apo mosveprimet e tyre, bën që të vetmin Kopësht Botanik, me vlera unikale dhe të pazendësueshme, e lejuan të mos jetë më i tillë.



