Qeveritë duhet të përqëndrohen në mbrojtjen e klimës kur të shqyrtojnë paketat stimuluese fiskale për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e koronavirusit, tha të martën kancelarja gjermane Angela Merkel.
Një shenjë e qartë kjo se Merkel dëshiron ta ndërthurë detyrën për të ndihmuar rimëkëmbjen e kompanive nga pandemia, me sfidën e vendosjes së më shumë stimujve për uljen e emetimeve të karbonit.
Duke folur në një samit virtual mbi klimën, i njohur si Dialogu i Klimës në Peterberg, Merkel tha se ajo priste diskutime të vështira për mënyrën e hartimit të masave stimuluese pas krizës në sektorë të biznesit kqë anë nevojë për më shumë ndihmë se të tjerët, njofton “Reuters”,
"Ka shumë rëndësi që nëse krijojmë programe stimulimi ekonomik të kemi gjithmonë në vëmendje mbrojtjen e klimës", tha Merkel, duke shtuar se fokusi duhet të jetë në mbështetjen e teknologjive moderne dhe energjive të rinovueshme.
Merkel tha se qeveritë duhet të tërheqin paratë e sektorit privat përmes tregjeve financiare ndërkombëtare për të financuar zhvendosjen e kushtueshme drejt një ekonomie më miqësore ndaj klimës.
Merkel gjithashtu mirëpriti qëllimin ambicioz të vendosur nga Komisioni Evropian, ekzekutivi i Bashkimit Evropian, për të ulur emetimet e gazrave serë deri në 55% deri në vitin 2030 në krahasim me nivelet e vitit 1990.



