Të rinjtë e Gjirokastrës janë mbledhur këtë të shtunë në sheshin e qytetit me pankarta në duar duke kërkuar dënim me vdekje për vrasësin e 8-vjeçarit Mateo Vasiu.
Të rinjtë gjirokastritë deklarojnë se kërkojnë dënim me vdekje për Klodian Çalamanin, ndërsa ndanë dhe mesazhe të tjera kundër abuzimit me fëmijët.
Kujtojmë se ditën e martë, Klodian Çalamani i mori jetën fqinjit të tij 8-vjeç duke e goditur pas koke dhe më pas groposur në oborrin e shtëpisë së tij. Ngjarja u zbulua pasi i mituri prej disa orësh nuk kishte shkuar në shtëpi dhe nëna e vogëlushit denoncoi në polici zhdukjen e tij.
Pas kësaj, nga këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë, u vu re se i mituri kishte hyrë në banesën e Çalamanit dhe nuk kishte dalë më prej atje. Me mbërritjen e policisë, Çalamani rrëfeu krimin.



