
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka vijuar kauzën e tij mbi veting-un e politikanëve, duke nënvizuar akuzat ndaj Qeverisë, për çështjet e korrupsionit.
Zgjidhja për një vend me më pak korrupsion dhe më pak varfëri, sipas kryedemokratit Lulzim Basha është vetingu në politikë. Basha theksoi nevojën që të ketë pastrim në mesin e politikanëve.
Ai thotë se shteti është i kapur nga korrupsioni, nuk i shërben aspak qytetarëve e se buxheti i tij është në funksion të PPP-ve klienteliste dhe jo të familjeve.
Një shtet i kapur nga korrupsioni nuk i shërben qytetarëve, por një pakice që gjallon në kurriz të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, ndaj edhe buxheti është në funksion të PPP-ve klienteliste, jo të familjeve dhe sipërmarrjeve të ndershme. Kjo krizë korrupsioni po varfëron qytetarët, po largon të rinjtë e të rejat dhe po asfikson ekonominë. Zgjidhja është pastrimi i politikës nga të korruptuarit dhe politikanët e lidhur me krimin. Zgjidhja është vettingu në politikë!



