Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Këshillit të Ekspertëve për dialogun me Serbinë.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj thotë se ky këshill do të veprojë në kuadër të zyrës së kryeministrit.
“Propozojmë që të themelohet Këshilli i Ekspertëve për dialog me Serbinë, si zyrë e veçantë në kuadër të zyrës së kryeministrit. Këshilli i Ekspertëve bën analiza specifike dhe këshillon kryeministrin dhe Qeverinë për çështje të dialogut me Serbinë, sipas temave që diskutohen në dialog.
Ky Këshill do të veprojë në kuadër të zyrës së kryeministrit. Përmes këtij vendimi do të caktohet edhe koordinatori shtetëror për dialog, i cili do të bëjë koordinimin e Këshillit, është njëkohësisht edhe këshilltar i kryeministrit”, ka thënë Selmanaj.
Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë se dialogu Kosovë- Serbi do të vazhdojë, pavarësisht zhvillimeve të fundit.
Hoti para ministrave tha se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë dhe se Kosova duhet të tregojë përkushtimin që ka si shtet në këtë proces.
Ai ka bërë të ditur se është duke punuar në kompozimin e një ekipi që do ta përfaqësojë Kosovën.
“Kosova është e përgatitur në këtë proces, është bërë një punë e madhe në secilën temë të mundshme, që duhet të fillojë nga njohja reciproke. Jemi duke punuar që të kompozojmë një ekip që do të përfaqësojë Kosovën në këtë proces që do të kryesohet nga kryeministri”, ka thënë kryeministri Hoti.



