Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportin e publikuar nga Departamenti i Shtetit mbi luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës në vitin 2016. Rama shprehet se është bërë shumë në këtë aspekt, por shumë mbetet për t’u bërë.
“Raporti i Departamentit të Shtetit provon sa shumë është bërë në luftën kundër kanabisit. Shumë mbetet për t'u bërë dhe do të bëhet se s'bën”, shkruan Rama në “Facebook”.
Në raportin e publikuar së fundmi nga DASH, Shqipëria cilësohet si një ndër vend burimet kryesore të marijuanës, por edhe rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën, e destinuar për në vendet e Bashkimit Europian. Në raport thuhet se vitin e kaluar pati shtim të plantacioneve me kanabis në vend, pavarësisht se autoritetet shqiptare raportuan rritjen e numrit të të arrestuarve dhe rasteve të shkatërrimit të plantacioneve me drogë.
Raporti thekson se kultivimi dhe përdorimi i kanabisit është i vetmi problem shqetësues, ndërsa nuk ka të dhëna për nivelin e përdorimit të dorgërave të tjera përfshirë ato sintetike.



