
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rustemi, thotë se aktualisht situata në Veri të Kosovës është dukshëm më e qetë, megjithëse vazhdojnë grupe dhe banda kriminale që vazhdojnë para objekteve të komunave, ndërkohë vazhdon përpjekja për të zbatuar ligjin në tërë territorin e Kosovës. Duke folur për MCN Live, Rustemi kritikoi propozimin e Kryeministrit Edi Rama për draftin për asociacionin në Veri. “Drafti është veprim i njëanshëm nuk i përket zotit Rama, është çështje tërësisht e autoriteteve të Kosovës. Ka qenë në traditën e institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mbështesin Kosovën pa asnjë ekuivok, se është tërësisht në anën e drejtë dhe po lufton krimin e organizuar në pjesën veriore të vendit të saj. Mungesa e studimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve i leverdis vetëm grupeve kriminale, që e kanë vendosur rendin dhe ligjin nëpërmjet pikëpamjes së tyre, përmes dhunës dhe shantazhit.” Rustemi tha ndër të tjera se qeveria e Albin Kurti është e përkushtuar për zgjidhje të qëndrueshme reale, që i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të komunitetit serb në Kosovë. Por sipas tij, asociacioni është kërkesë për tu përdorur si levë e Serbisë që ta përdorë për interesa të saj. “Asociacioni nuk është qëndrimi përfundimtar i Serbisë. Serbia synon asociacionin si një mekanizëm të saj, jo për komunitetin serb që të përmbushin interesat e tyre, por si mekanizëm të vetë shtetit serb për ta përdorur sa herë e konsideron të nevojshëm. Për Kosovën, një mekanizëm i tillë që është si levë për Serbinë, është i papranueshëm."



