
PD ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit për zgjedhjet e 11 majit.
Ky koalicion do të ketë 26 parti opozitare.
Pjesë e koalicionit do të jetë edhe Shpëtim Idrizi, kryetari i PDIU, negociatat me të cilin u mbyllën vetëm pak minuta para dorëzimit të kërkesës.
Më herët PD mbylli bisedimet me Partinë e Lirisë e cila do të ketë katër deputetë në pjesën e sigurte të listës.
Gjithashtu nga një deputet te sigurte do të kenë Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule.
PD do të jetë partia udhëheqëse e këtij koalicioni që do të jetë nën logon e PD-së. Sali Berisha në emër të koalicionit do të paraqesë listën shumëemërore të kandidatë.
“Me anë të kësaj marrëveshjeje, ne bashkohemi sot si forca politike opozitare dhe si përfaqësues të qytetarëve të Shqipërisë, më objektivin primar rotacionin politik, për të fituar bindshëm në zgjedhjet e 11 Majit 2025, nëpërmjet krijimit të Koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca Për Shqipërinë Madhështore” (në vijim “Koalicioni”), për t’i sjellë ndryshimin e shumëpritur Shqipërisë.
Ne sot bashkohemi me një qëllim dhe program të përbashket për largimin e kësaj Narkoqeverisje që ka shpopulluar vendin nga 1 milion shqiptarë, ka asgjësuar shtetin e të drejtës, ka kapur gjithë institucionet e pavaruara, ka përvetësuar pasuritë publike, ka futur krimin dhe korrupsionin në çdo qelizë të qeverisjes, duke e bërë jetën e shqiptarëve të papërballueshme dhe të pasigurt.
Ne biem dakord, se pas 12 vitesh korrupsion galopant, abuzime të gjithanshme, keqqeverisje dhe eksperimente politike të kryera mbi shqiptarët, ka vetëm një përgjegjës për shpopullimin, varfërinë, fatkeqësitë dhe pasiguritë që kanë mbuluar vendin dhe ky është Edi Rama.
Ne ndajmë të njëjtat vlera e parime në moralin, integritetin dhe veprimtarinë tonë politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e ardhshme të vendit dhe orientimit pro Perëndimor të saj”, thuhet në kërkesën e depozituar në KQZ.
Partia më e madhe opozitare në vend, me në krye Sali Berishën shkon në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në koalicion me 25 parti të tjera:
– Partia e Lirisë, përfaqësuar nga Ilir Meta.
-Partia Republikane, përfaqësuar nga Kryetari Fatmir Mediu.
-Partia Demokristiane, përfaqësuar nga Kryetari Nard Ndoka.
-Partia Bashkim për të Drejtat e Njeriut, përfaqësuar nga Kryetari Vangjel Dule.
-Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë përfaqësuar nga Kryetari Agron Duka.
-Partia Kombëtare Konservatore Albania, përfaqësuar nga Kryetari Kujtim Gjuzi.
-Partia Emigracioni Shqiptar, përfaqësuar nga Kryetari Kostaq Papa.
-Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, përfaqësuar nga Kryetari Gjet Ndoj.
-Partia Aleanca Europiane Ekologiike përfaqësuar nga Kryetari Sazan Guri.
-Partia Personat me Aftësi të Kufizuar, përfaqësuar nga Kryetari Gjovalin Shqalshi.
-Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim, përfaqësuar nga Kryetari Nikolin Staka.
-Partia Lëvizja e Legalitetit, përfaqësuar nga Kryetari Shpëtim Axhani.
-Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, përfaqësuar nga Kryetari Ylber Valteri.
-Partia Ora e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari Zef Shtjefni.
-Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare, përfaqësuar nga Kryetari Mhill Gecaj.
-Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari Dhimitër Muslia.
-Partia Fryma e Re Demokratike, përfaqësuar nga Kryetari Sali Shehu.
-Partia Bashkimi Liberal Demokrat, përfaqësuar nga Kryetari Arian Starova.
-Partia Balli Kombëtar Shqiptar, përfaqësuar nga Kryetari Adriatik Alimadhi.
-Partia Balli Kombëtar Demokrat, përfaqësuar nga Kryetari Artur Roshi.
-Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë përfaqësuar nga Kryetari Selami Jenishehri.
-Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari Rivelino Çuno.
-Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare, përfaqësuar nga Kryetari Muharrem Doda.
-Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, përfaqësuar nga Kryetari Vasil Sterjovski.
-Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, përfaqësuar nga Kryetari Shpëtim Idrizi.



