
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin nga detyra të gjyqtares Enkeleda Kapedani, deri në fund të hetimeve që kanë nisur për të. Kapedani ishte e pranishme në mbledhjen e sotme ku u diskutua pezullimi dhe shkarkimi i saj nga detyra.
Ishte ILD që kërkoi nga KLGJ pezullimin dhe shkarkimin e gjyqtares Kapedani, pas videove që gjyqtarja publikonte në Tik-Tok, ku shfaqej duke bërë “sfilatë” në zyrën e gjykatës.
Kreu i ILD-së, Artur Metani, tha gjatë seancës së sotme gjyqësore se ekzistojnë kushtet që gjyqtarja të pezullohet.
Kapedani është marrë nën hetim nga Inspektoriati i Drejtësisë, pasi në media i rrodhën disa video nga rrjeti social “Tik Tok”. Vetë ajo pretendon se nuk ka “TikTok” dhe nuk ka asnjë dijeni se kush ia ka publikuar pamjet në rrjet.
Më pas ajo u justifikua duke thënë se këto video mund t’ia kenë publikuar fëmijët e saj, të cilët janë të mitur. Pavarësisht pretendimeve, Kreu i ILD-së dorëzoi kërkesën për shkarkimin e magjistrates me arsyetimin se ka diskredituar figurën e gjyqtares.
Gjyqtarja Enkeleda Kapedani është justifikuar për sfilatat e saj në rrjetet sociale, duke thënë se videot dhe fotot ia ka bërë vetes për të hequr stresin dhe lodhjen që kishte nga puna.



