Kreu i qeverisë dhe ai i opozitës pritet të takohen sot në orën 10:00 në një takim me ftesë të presidentit Nishani.
“Me ftese te Presidentit te Republikes neser diten e merkure ne oren 10:00 do te zhvillohet ne Institucionin e Presidentit te Republikes takimi midis Kryeministrit te vendit Z. Edi Rama dhe Liderit te opozites Z. Lulzim Basha” informoi presidenca përmes një njoftimi të shpërndarë për median mesnatën e 2 majit 2017.
Takimi mes Ramës dhe Bashës me ndërmjetësimin e Nishanit vjen pas një mbledhjeje të gjatë që grupi parlamentar demokrat zhvilloi mbrëmë deri në orët e vona. Në përfundim të saj, qëndrimet e Bashës ishin pothuajse të njëjta me ato të deritanishmet. Ai nguli këmbë sërish në dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike si kushte për hyrjen në zgjedhje. Por Basha nuk përmendi drafte dhe as negociatorë si kushte për një takim me Ramën.
Ndërkohë, burime të maxhorancës bënë të ditur gatishmërinë e Ramës për të zhvilluar takimin që mbrëmë pas përfundimit të mbledhjes së PD-së.



