Eksperti i mjedisit Abdulla Diku i pyetur për modelin e menaxhimit të mbetjeve nga bashkia Mat, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se përfundimi është i njëjtë me bashkitë e tjera, për sa kohë mbetjet shkojnë të gjitha bashkë në landfill. Ai vuri në dukje se duhen zbatuar 5 hapa në lidhje me menaxhimin e integruar të mbetjeve, ku nuk mjafton vetëm grumbullimi. Ndër të tjera Diku e konsideron incenerimin një praktikë të gabuar, ku kompanitë private s’kanë interes që vendi të jetë më i pastër, por të rrisin volumin e mbetjeve e për pasojë volumin e punës.
"Nuk është ndonjë gjë e re në fakt, për fatin e keq menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri nuk po ndjek aspak strategjinë përkatëse, ligjin për menaxhimin e mbetjeve dhe qasjet e direktivës së BE për mbetjet. Edhe në rastin e bashkisë Mat s’është se ka ndonjë element të ri, për sa kohë që mbetjet grumbullohen të gjitha bashkë, organike, plastike, letër, tekstil, dru, do të thotë që ne sërish jemi në rrugë të gabuar, sa i përket menaxhimit të integruar të mbetjeve. Quhet menaxhim i integruar sepse menaxhimi i mbetjeve s’është vetëm grumbullimi i tyre, por zbatimi i 5 hapave të rëndësishëm, që janë të sanksionuara mjaft mirë në direktivat e BE dhe ligjin shqiptarë, që janë: Parandalimi i mbetjeve, ripërdorimi i mbetjeve, riciklimi dhe rikuperimi dhe i fundit asgjësimi. Ne s’e zbatojmë këtë hierarki. Nga parandalimi i mbetjeve kalojmë në landfill, që do të thotë s’po bëjmë asgjë për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Incenerimi është hapi i 4, e parafundit. Ne duhet ta nisim si duhet, së pari t’i parandalojmë mbetjet, të rrisim riciklimin dhe pastaj janë hapat përfundimtarë si në bashkinë Mat. Incenenerimi është praktikë e gabuar. Pavarësisht se Mati paraqet një model pak a shumë ndryshe nga bashkitë e tjera, rezultati është po i njëjtë, mbetjet shkojnë të gjitha bashkë në landfill, dhe volumi që dërgohet është mjaft i madh. Incenerimi s’është një e mirë publike, por të zbatohet ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ligji i vitit 2011, është tërësisht i përafruar me direktivën. Çështja është te zbatimi, se nuk zbatohet aspak ligji përkatës. Sepse tentohen të kontraktohen kompani private, që s’kanë interes që vendi të jetë më i pastër, por kanë interes të kenë volum më të madh mbetjesh dhe të kenë më shumë punë. Ashpërsimi i gjobave s’do të zgjidhë asgjë. Ne kemi hyrë në një rrugë pa krye lidhur me menaxhimin e mbetjeve, për sa kohë që qëllimi fokusohet rreth incenerimit, do të thotë që vendi ynë do të vazhdojë të jetë po kaq i ndotur, në mos më shumë me rritjen e vizitorëve. Fillimisht duhet të ndaheshin në dy rryma, mbetje organike dhe mbetje të tjera”.



