
Dietologët kanë ngulur këmbë prej kohësh se qitroja ndihmon në rënien në peshë. Por tashmë edhe shkencëtarët kanë filluar ta mbështesin këtë teori. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se, konsumi i lëngut të qitros gjatë vakteve me ushqime të yndyrshme, ul peshën me afërsisht 20 %.
Për më tepër, studimi ka arritur në përfundimin se qitroja luan të njëjtin rol si ilaçet që mjekët rekomandojnë për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak, një hap që konsiderohet si baza e menaxhimit të diabetit.
Eksperimenti është kryer fillimisht mbi minjtë dhe studiuesit thonë se rezultatet justifikojnë studimet edhe mbi njeriun. Në fund të eksperimentit u arrit në përfundimin se minjtë që kishin konsumuar lëng qitroje kishin shtuar 18 për qind më pak në peshë se ata që kishin konsumuar ujë, i vetmi ndryshim në menunë e tyre.
Gjithashtu u vu re edhe një nivel më i ulët i sheqerit në gjak dhe insulinës, pavarësisht numrit të njëjtë të kalorive për të dy grupet.
Dieta e qitros, e njohur ndryshe si dieta e Hollivudit, është ndjekur për herë të parë në vitet ’30 dhe që atëherë ka qenë e preferuara e shumë njerëzve të famshëm. Një prej tyre, e njohur për formën fizike të shkëlqyer, pavarësisht moshës, është këngëtarja australiane, Kylie Minogue.
Dieta konsiston në përfshirjen e qitros ose lëngut të saj në të gjitha vaktet, duke reduktuar në mënyrë të moderuar kaloritë.
Qitroja kontrollon insulinën, duke luajtur të njëjtin rol si metformina, ilaçi i njohur gjerësisht për kurimin e diabetit, raporton revista shkencore e mjekësisë “Plos One”.
Megjithatë, deri në një përfundim të provuar shkencërisht edhe mbi njerëzit, studiuesit dhe dietologët bien dakord për një gjë: qitroja duhet të jetë pjesë e një diete të balancuar dhe të shëndetshme, por nuk duhet të bëhet fokusi i saj. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



