
Valdete Mamaj, gruaja 50-vjeçare e cila u raportua se vrau veten me thikë mëngjesin e kësaj të marte në Fier, është vrarë nga bashkëshorti.
Burimet për MCN bëjnë me dije se Petrit Mamaj, bashkëshorti i 50-vjeçares ka vrarë gruan e tij me thikën e bukës për arsye xhelozie.
Kujtojmë se ngjarja dyshohet se është kryer rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa u raportua në polici disa orë më vonë.
“Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia arreston shtetasin P. M., si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.
Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës(thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.”, bëjnë me dije burimet zyrtare.



