Qeveria duket se po orienton politikat e saj ekonomike larg sektorit fason, duke synuar zhvillimin e industrive që konsiderohen më produktive dhe me vlerë më të lartë të shtuar.
Kjo qasje është reflektuar edhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, ku fasoneria përmendet si një sektor me produktivitet të ulët dhe me nevojë për transformim.
Në “MCN Economy”, eksperti i ekonomisë Pano Soko e interpretoi dokumentin si një sinjal të qartë se qeveria nuk e konsideron më fasonerinë një sektor prioritar për mbështetje.
Ajo që do të mbetet nga kjo strategji është vetëm përkufizimi i parë, që fasonët shihen si një model që nuk duhet të mbështetet dhe duhet transformuar.
Sipas tij, dokumenti nuk ofron mekanizma konkretë për transformimin e industrisë, por argumenton arsyet pse ajo nuk po mbështetet financiarisht.
Kushdo që e lexon këtë dokument dhe e kupton, e sheh se është një dokument që tregon pse nuk po mbështetet kjo industri, sepse sipas strategjisë konsiderohet një degë jo fitimprurëse.
Soko ngriti pikëpyetje edhe mbi realizueshmërinë e transformimit të sektorit, duke theksuar se kompanitë fason përballen me vështirësi financiare dhe kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme.
Këta për t’u transformuar kanë nevojë për lekë sot dhe jo nesër. Këtë e ka në dorë qeveria. Nëse do t’i ndihmojë, t’u japë fondet përkatëse; nuk ka nevojë për strategji.
Eksperti vlerësoi se problemi i fasonerisë nuk është i ri, por një çështje e kahershme e ekonomisë shqiptare, pasi ky sektor ka absorbuar ndër vite një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore me arsimim dhe kualifikim të kufizuar.
Problemi i fasonerisë ka qenë permanent, sepse ky sektor ka marrë një hallkë të tërë të shoqërisë, të papërgatitur dhe të pashkolluar.



