CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Barnahus Albania, me pjesëmarrjen dhe nën kujdesin e posaçëm të Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, shpallën sot krijimin e Lëvizjes Kombëtare -NEJEMI1 – së bashku kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.
Fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni, e ka mbajtur Presidenti Ilir Meta i cili tha se është përgjegjësi thelbësore që fëmijët të ndihen të sigurtë dhe të mbrojtur.
“Mungesa e ndërgjegjësimit për ngacmimet seksuale të fëmijëve ndikon në mungesën e denoncimeve, e për pasojë edhe të ndëshkimeve. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe në shumicën e rasteve dhunuesit janë të njohur të fëmijëve. Është përgjegjësi thelbësore për të gjithë ne, fatkeqësisht në disa raste institucionet dhe drejtësia kanë dështuar. Është momenti që të gjithë së bashku jo vetëm të ngremë zërin për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, por edhe për t’iu dhënë më shumë zë atyre, si dhe të ngremë barriera për të ndalur shfrytëzimin seksual ndaj tyre.
Shoqëria tronditet kur ndodh një ngjarje, mediat e pasqyrojnë maksimalisht, sepse cdo familje vetëtronditet, por më pas ne harrojmë dhe nuk kemi asnjëherë asnjë bilanc se çfarë ka ndodhur me autorët, cila ka qenë shkalla e ndëshkimit të tyre. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të bërë politika kundër këtij fenomeni. Rritja e ndëshkueshmërisë është çelësi i suksesit për të ardhmen. Do ta mbyllja me shprehjen e Nënë Terezës se “Fëmija është bukuria e Zotit e pranishme në këtë botë dhe dhurata më e madhe për një familje, dhe padyshim edhe për një komb.
Është momenti që jo vetëm të ngremë zërin por t’u japim më shumë zë atyre, të ngrejmë barriera kundër dhunës së fëmijëve. Duhen ndërmarrë masa të forta. Duhet një ligj i posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Duhen masa ndërgjegjësimi për fëmijët e prindërit për të denoncuar çdo rast të dhunës, veçanërisht asaj seksuale. Të ngazhojmë institucionet, bashkë me Parlamentin, mediat, shoqërinë civile për t’ju përgjigjur ashpër dhe prerë dhunës ndaj fëmijëve. Si President do jem në krahun tuaj në këtë nismë për të zhvilluar politika më efikase dhe mbi të gjitha politika më të forta ndëshkuese”, u shpreh Presidenti.
Studimet tregojnë se 1 në 10 fëmijë janë viktima të dhunës dhe ngacmimit seksual në Shqipëri. Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve ushqehet jo vetëm nga sjellja e grabitqarëve seksualë, por edhe nga paragjykimet shoqërore, sistemi i dobët i mbrojtjes së fëmijëve, tabutë mbi seksin edhe stereotipet gjinore.



