Kreu i SPAK Klodian Braho zhvilloi sot mbledhjen e parë me vartësit, në një takim që u mbajt në kuadër të rioganizimit të strukturës.
Sot u prezantuan emërimet e reja, përkatësisht Altin Dumani në krye të seksionit për Marrëdhëniet me Jashtë; Vladimir Mara te Krimet e Rënda, terrorizmi dhe grupet kriminale, si dhe Dorina Bejko te seksioni kundër korrupsionit.
Në takim u diskutua edhe për dosjet me interes të lartë publik dhe përshpejtimin e hetimeve. Në platformën e tij Braho ka deklaruar se SPAK do të hetojë pasuritë e zyrtarëve dhe grupeve kriminale.
Në një raportim për Mcn Live, gazetari Arsen Rusta bën me dije se Braho ka kërkuar që prokurorët të jenë më të shpejtë me hetimet dhe të intensifikojnë hetimin pasuror dhe të korrupsionit.
“Ka përfunduar mbledhja e parë e kreut të SPAK-ut me vartësit e tij. Ka patur një diskutim ndërmjet prokurorëve për ecurinë e proceseve të konsideruara me interes të lartë publik. Z.Braho ka kërkuar nga kolegët që të jenë më të shpejtë me hetimet. Z. Braho është shprehur se për çdo pengesë që do keni në raport me institucionet shtetërore dhe institucionet e varësisë që ne bashkëpunojmë do dua nga ju një raport të detajuar se çfarë pengesash keni hasur dhe çfarë nevoje keni për t’u mbështetur’. Ka kërkuar po ashtu përfshirjen, nëpërmjet mendimeve, propozimeve, në draftin e ri të Kodit Penal. Mbledhja s’ka patur debat, apo konfrontime. Kanë qenë të pranishëm të 20 prokurorët e SPAK-ut. Z.Braho ka kërkuar intensifikimin e hetimit pasuror dhe të korrupsionit, me nisjen e hetimeve kryesisht, qoftë edhe nga raportimet mediatike”.



