Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën lidhur me zjarret në territorin e vendit gjatë orëve të fundit. Deri në orën 12:00 të mesditës së sotme, janë raportuar 7 vatra aktive, ndërsa 5 prej tyre janë shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale në terren.
Aktualisht, dy vatra mbeten ende aktive nw Llaman, bashkia Himarë, ku në operacion janë angazhuar automjete zjarrfikëse, helikopterë dhe forca të Shërbimit Pyjor dhe n Kolsh, qarku Kukës, ku vijon ndërhyrja nga toka për izolimin e flakëve.
Ministria njofton se operacionet për shuarjen e zjarreve janë në vijim dhe situata po monitorohet nga afër për të shmangur përhapjen e mëtejshme, sidomos në zonat pyjore dhe ato pranë banesave.
Njoftimi:
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 12:00, datë 23.06.2025, janë raportuar 7 vatra zjarri.
Nga këto janë shuar 5 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
1. Në lagjen “Mulliri i Artë”, bashkia Delvinë.
2. Në fshatin Alarup, njësia administrative Çërravë, bashkia Pogradec.
3. Në në rrugën e Elbasanit, njësia administrative Nr. 2, bashkia Tiranë.
4. Në fshatin Rilë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë.
5. Në fshatin Malaj, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
Qarku Vlorë
1. Në fshatin Llaman, bashkia Himarë, vatra e zjarrit është ende aktive, janë duke operuar: 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Himarë, 40 efektivë FA nga DRM Gjirokastër me 4 automjete transporti dhe 1 helikopter i FA.
Në mbështetje nga bashkia Himarë në terren janë edhe 30 forca nga Shërbimi Pyjor, nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Himarë, nga njësitë administrative Himarë, Horë – Vranisht dhe Lukovë.
Qarku Kukës.
2. Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, situata drejt përmirësimit.



