
Ushtria e Izraelit ka sulmuar këtë të martë një spital në qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur si dhe persona që kërkonin strehim si pasojë e luftës. Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka njoftuar se të paktën 500 persona janë vrarë.

Shumë spitale në Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.

Ndërkohë, mediat e huaa raportojnë se pas këtij sulmi, udhëheqësi palestinez, Mahmoud Abbas, po tërhiqet nga takimi katërpalësh i planifikuar për të mërkurën në Aman të Jordanisë, me pjesëmarrjen e presidentit amerikan, Joe Biden, homologut të tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi dhe mbretit jordanez Abdullah II. Vizita e presidentit amerikan ka si objektiv të parë shprehjen e mbështetjes së SHBA ndaj Izraelit, i cili po hakmerret ndaj Hamasit.
Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur tre ditë zie pas sulmit ajror vdekjeprurës në Spitalin Baptist Al-Ahli Arabi të Gazës, njoftuan mediat shtetërore.



