
Reshjet e shiut të rëna në 24 orët e fundit kanë shkaktuar dhe problematikat e para në qarkun e Shkodrës, kryesisht në sistemin e kullimit dhe mbrojtjes nga vërshimi lumenjve.
Nga bashkia Shkodër informohemi se si pasoje e reshjeve të shiut ka patur renie gurësh në aksin rrugor Prekal - Breglumi.
Në rrugën e Dukagjinit ka patur rrëshqitje dherash e gurësh për të cilat do të punohet me anë të një fadrome për largimin e tyre. Ndërkohë në Theth një natë më parë pati prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda.
Ura që lidh fshatin Theth me Ndërlysaj nuk është dëmtuar nga reshjet, por firma që po punon për rrugën e re atje, ka ndërhyrë pasi do të bëjë rikonstruksionin e plotë të urës. Në pjesën tjetër te njësitë nuk raportohen dëme, në disa zona ka patur shkëputje të energjisë si pasojë e linjave të amortizuara.
Nga bashkia Vau Dejës informohemi se në NjA Vig Mnele ka bllokim të disa rrugëve nga prurjet e lumit Gjadër.
Në NjA Vau Dejës prurjet në përroin Glinë dhe Tamzë kanë qenë më të ulta pasi Bashkia në bashkëpunim me DRUK kanë bërë pastrimin e tyre në të gjithë gjatësinë. Nuk ka energji elektrike në NjA Vau Dejës dhe NjA Hajmel.
Nga bashkia Fushë Arrës informohemi se si pasojë e reshjeve të shiut është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë te NjA Blerim, banesa e shtetasit Nikoll Pjetër Kola me dy anëtar. Po ashtu janë dëmtuar rrugët rurale në NjA Iballë dhe NjA Fierzë.
Nga bashkia Malësi e Madhe informohemi se si rezultat i shirave të rëna gjatë natës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike ne NjA Shkrel, NjA Kastrat, NjA Kelmend.
Nga bashkia Pukë informohemi se në NjA Qelëz është dëmtuar totalisht aksi rrugor Qelëz- Ukth Maja e Mirges. Ka patur rrëshqitje të rrugës në aksin rrugor të Kabashit Memaj Buhot, aksit rrugor Bicaj Blinisht Krove.
Në NjA Gjegjan ka patur dëmtim në çatinë e shkollës qendër Gjegjan. Në rrugët rurale ka prezencë inertesh si pasojë e shkarjeve të gurëve dhe dherave.
Kanali vaditës Rras Kuzhnen është dëmtuar plotësisht. Ura e Rras Kuzhnenenit është dëmtuar plotësisht.
Për njësinë Pukë kemi rrëshqitje të trupit të digës së rezervuarit. Për ndërhyrje në stabilizimin e situatës kërkohen 2 mjete, 1 fadromë dhe 1 kamion.



