Ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder ka refuzuar të denoncojë mikun e tij rus, Presidentin Vladimir Putin, ndërsa ngre shqetësimin për dështimin e liderëve aktualë të Gjermanisë e Francës për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin Rusi-Ukrainë.
Në një intervistë me gazetën "Süddeutschen Zeitung" të publikuar të premten, 79-vjeçari Schroeder, i cili shërbeu si kancelar nga viti 1998 deri në vitin 2005, tha se "ende e konsideron Presidentin Putin mikun e tij".
"Pse duhet ta fsheh këtë?" pyet politikani veteran, duke shtuar se marrëdhënia e tyre personale ishte zhvilluar në mënyrë të pavarur nga politika.
Shrëder e konsideron të gabuar nisjen e luftës në Ukrainë nga Rusia, por vë në dukje se ky fakt nuk mund ta bëjë që të mohojë miqësinë me Putinin.
Ai tregoi se si ai dhe gruaja e tij So-yeon Shrëder-Kim udhëtuan për në Stamboll dhe Moskë në një "mision paqeje" marsin e kaluar. Ai u përpoq të detyronte Moskën dhe Kievin të bënin lëshime të ndërsjella për të ndaluar armiqësitë, por këto përpjekje nuk rezultuan të suksesshme.
Ish-kancelari këmbëngul se konflikti mund të zgjidhet nëpërmjet ndërhyrjes së krerëve të qeverisë dhe presidentëve. Ai shpreh gjithashtu keqardhjen që liderët aktualë në Berlin dhe Paris nuk po bëjnë sa duhet në këtë drejtim. Shrëder argumentoi se furnizimi me më shumë armë nuk ka gjasa t'i japë fund armiqësive.



