LSI-ja po zhvillon sot zgjedhjet per kreun e saj të ri. Kryetari Ilir Meta, i cili rikandidon për një tjetër mandat, ka votuar rreth orës 11:40 minuta në një prej qendrave të votimit.
Meta u shpreh se vendimin më të vështirë e ka pasur për përzgjedhjen e kandidatëve nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim. Ai theksoi se LSI-ja do të jetë në lartësinë e duhur në vizionin e saj për të ardhmen e vendit.
“Vota është e lirë, por u mendova shumë sepse nuk doja të hiqja asnjë emër tek Lëvizja Rinore për Integrim, por i detyruar të hiqja disa. Ishte një proces pozitiv. Do të çlirojë energji më të mëdha brenda LSI-së sepse është një angazhim për ta çuar këtë parti në një stad më të ri përmes kësaj pjesëmarrjeje, kësaj vote, përmes kësaj atmosfere konkurrence me qëllim të përbashkët se si LSI-ja të jetë në lartësinë e duhur, për të patur një vizion më të plotë për të ardhmen e vendit, por njëkohësisht edhe një organizim dhe funksionim shumë më të mirë cilësor dhe përfaqësues për të realizuar këtë vizion”, tha ai.



