
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin ‘Të Paekzpozuarit’ në MCN TV ka komentuar për çështjen ‘Gjici’ ku gjykata vendosi arrest me burg për ish-kryebashkiakun dhe arrest shtëpie për zonjën Alma.K. Ai tha se Gjici akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Alma.K për korrupsion aktiv. Sipas tij, problemi i gjithë kësaj historie është korrupsioni që bëhet në zyrën e shtetit. "U bë përpjekje që kjo çështje të zgjasë vetëm tre ditë, por nuk ndodhi kështu. Publikimi i videos së plotë, bëri që historia të merrte një rrjedhë tjetër. Kemi të bëjmë me një vepër penale që është në tagrin e SPAK. Sot gjykata bëri njohjen e vendimit. Gjykata vendosi masën arrest me burg për Safet Gjicin. Për zonjën Alma, gjykata ka vendosur masën arrest shtëpiak, sepse ka një fëmijë 12 vjeç dhe nënën e sëmurë. Prokuroria nuk ka gjykuar që ajo përbën rrezikshmëri që mund të dëmtojë hetimin. I kanë mbajtur edhe pasaportën. Ajo që ndodhi në gjykatë, hyrja e shtetases A.K u bë nga dera kryesore e SPAK. Nuk është ajo zakonisht dera për këta persona, zakonisht hyjnë në pjesën e pasme. Zoti Gjici ishte mbrapa kafazit, zonja A.K jashtë kafazit”. Në vijim Hoxha shtoi se Gjici u mundua të shpjegojë se nuk ka shkelur ligjin dhe tha se ka patur një njohje, ku u shpreh se ka marrë ndëshkimin moral por nuk ka bërë shkelje ligjore, pasi sipas tij ai nuk ka patur projekt në dorë dhe sipas atij meqenëse nuk ka projekt dhe vendim, kjo vepër nuk është kryer. “A.K ka shpjeguar rrethanat. Ka thënë që ishte takimi i dytë. Në takimin e parë ka ndjerë një lloj afiniteti me Gjicin dhe në të dytën e ka regjistruar. Zonjën A.K, e kanë futur te korrupsioni aktiv ndërsa Gjici korrupsion pasiv. Gjici këmbënguli që nuk ka të bëjë me korrupsionin. Nga krahu tjetër, premtimi është bërë, video dëshmon që jo vetëm është bërë, por kryetari i Bashkisë ka marrë dokumentacionin. Mbledhja nuk ndodhi sepse video rrodhi. Dëgjuam që pajisja është një çantë e ardhur nga India. Ka qenë një gotë, ose termus, kamera u vendos në pjesën e sipërme. Nuk hyje dot në zyrën e Gjicit me asgjë, as me celular…”



