
Në një kohë kur interneti, telefonat inteligjentë dhe aplikacionet digjitale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, ekspertët e teknologjisë theksojnë rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
E ftuar në emisionin “MCN Informacion”, inxhinierja elektronike Kejsi Voskopi u shpreh se Shqipëria ka bërë progres në vitet e fundit, por ende mbetet në fazat e para të ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike.
Ka pasur përparim krahasuar me vitin 2022, kur sulmet kibernetike ndaj sistemeve qeveritare ekspozuan të dhëna të rëndësishme.
Nga ajo ngjarje janë nxjerrë mësime dhe sot po i kushtohet më shumë rëndësi sigurisë së portaleve dhe sistemeve që ndërtohen ose përditësohen.
Rreziku mbetet i lartë jo vetëm për shkak të sfidave teknologjike, por edhe për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit tek përdoruesit.
Shumë qytetarë përdorin të njëjtin fjalëkalim për rrjetet sociale, email-in dhe platforma të tjera.
Nëse komprometohet një llogari, krijohet një efekt domino që mund të rrezikojë të gjitha të dhënat e tyre.
Duhet të kuptojmë se teknologjia sjell përfitime, por edhe përgjegjësi për mbrojtjen e informacionit personal.
Nga ana tjetër, inxhinieri software Mateo Doda foli për krijimin e aplikacionit “1PhotoVault”, i cili synon të ofrojë një nivel më të lartë privatësie për ruajtjen e fotove dhe videove personale.
Duke parë rëndësinë në rritje të privatësisë digjitale dhe diskutimet e shumta rreth sigurisë kibernetike, vendosëm të zhvillonim një aplikacion të dedikuar, fillimisht për pajisjet iOS.
Ideja është t’u japim përdoruesve kontroll të plotë mbi përmbajtjen e tyre private.
Shumë njerëz mendojnë se të dhënat e tyre nuk përbëjnë interes për askënd, por në raste të caktuara ato mund të kenë vlerë dhe të bëhen objekt i aksesimit të paautorizuar.
Ne kemi ndërtuar një zgjidhje që fokusohet te privatësia dhe siguria digjitale.
Çelësi që hap këtë ‘kasafortë’ virtuale i përket vetëm përdoruesit dhe nuk kontrollohet nga askush tjetër.
Aplikacioni “1PhotoVault” është krijuar për të ruajtur në mënyrë të sigurt foto dhe video private, duke synuar t’u ofrojë përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre personale.



