Gazetari Mariglen Kume tha në MCN Live se propozimi i Erion Braçes që Armand Duka dhe Fidel Ylli të përjashtohen nga menaxhimi i fondeve që do mblidhen nga operatorët, i miratuar në komisionin parlamentar, bëri që PS të shtyjë votimin në Kuvend të projekt-ligjit për Lojërat e Fatit.
Kume tha se i gjithë interesi për lobime në raport me draftin lidhet me shumën e madhe të parave që do menaxhojë këshilli dhe se ku do të shkojnë ato.
Duket se nga disa indicie apo gjysmë informacione që kanë ardhur fillimisht, një nga arsyet për shtyrjen ka qenë propozimi i z.Braçe, i bërë në komision dhe i miratuar nga deputetët, që ishte përjashtimit të kreut të Federatës Duka, dhe kreu i KOKSH-it Fidel Yllit, nga këshilli i menaxhimit të fondeve që mblidhen nga taksat që do të paguajnë operatorët e Lojërave të Fatit. Sipas Braçes kreu i Federatës dhe kreu i KOKSH kanë konflikt interesi. Kjo u kundërshtua nga qeveria në mbledhjen e komisionit, por sipas procedurës Shalsi e hodhi në votim dhe kjo gjeti mbështetjen e deputetëve”.
Fondi mund të shkojë edhe për çështje sociale, dhe fondet mund të shpërndahen sipas projekteve që sjellin institucionet. Madje Braçe në komision propozoi që fondi të shkonte edhe për Mjedisin, që s’u miratua. Do jetë i ndarë për disa çështje, jo vetëm për sportin. Ata kanë lobuar më herët dhe duan të jenë aty. Ka edhe një pikë tjetër, është te pjesa e akteve normative, ku fillimisht e ka pasur që aktet do t’i përgatiste Ministria e Financave dhe më pas u ndryshua që do bëhet nga Këshilli i Ministrave”.
Kume foli gjithashtu mbi zhvillimet e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, pritshmëritë për protestën e 20 shkurtit, dhe diskutimet për Reformën Zgjedhore.
Kam përshtypjen se ishte diçka e nxituar nga Noka, pasi Gjoncaj mund të marrë vendim nëse do t’i japë një zyrë këtij grupi, apo atij grupi, ndërsa se cilin grup do të njohë i takon kryetares së Parlamentit. Ka pasur akuza nga deputetet gra të PD-së për dhunë nga gardistët. Për 20 shkurtin parashikohet një protestë kombëtare, ku fokusi të jetë masiviteti, dhe nëse do t’i përgjigjen qytetarët nuk përjashtohet ndonjë moment agravimi. Jo vetëm deputetët e grupit Berisha, por edhe deputetët e grupit Bardhi po përpiqen të mobilizojnë njerëz. Besoj që edhe deputetët e PL do t’i bashkohen protestës.
Kume tha se PD e Rithemelimit ka shpresë se vendimi i Apelit për vulën do shkojë në favor të tyre, për shkak të një precedenti me gjyqtaren Blerina Muça.
Ka një moment që të paktën e grupimi i Rithemelimit siç më kanë thënë ka ndezur një shkëndijë që vendimi i Gjykatës së Apelit për vulën do shkojë te ata. Pse, sepse në dhjetor të 2023-shit Vetingu shkarkoi gjyqtaren Blerina Muça, e cila pati çështjen e vulës në Apel, dhe në vendimin e Vetingut, të Komisionit të KPK-së ishte që znj.Muça ka pranuar palë në proces grupin e z.Alibeaj, të z.Basha, që nuk kishte kërkuar, dhe ky ishte një cedim profesional i saj, dhe me këtë argumentim të Vetingut, z.Noka pretendon se asnjë nga trupa e re e gjyqtarëve s’do mund të pranojë më si palë z.Basha dhe rrjedhimisht u mbetet atyre vendimi i z.Zhukri, dhe u mbetet vula”.



