
Inteligjenca artificiale, si Chat-GPT, mund të jetë po aq efektive, nëse jo më e mirë, sesa një psikoterapist njerëzor kur bëhet fjalë për shëndetin mendor, sipas një studimi të Universitetit të Ohajos.
Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, dhe psikologia Anora Kroj, të ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, diskutuan për përparësitë dhe pasojat që mund të sjellë përdorimi i Chat-GPT për zëvendësimin e psikologëve.
Tomi Kallanxhi:
Chat-GPT nuk do të zëvendësojë psikologët menjëherë. Përshtatja e teknologjisë për të mbështetur shëndetin mendor mund të marrë disa vite. Po rritet një brez i ri, Generata Z dhe Alfa, që janë të lidhur ngushtë me teknologjinë dhe rrjetet sociale. Këto janë breza që shpesh nuk e ndjejnë nevojën për kontaktin personal.
Ne vërejtëm që shumë të rinj e kanë bezdi të flasin edhe në telefon, prandaj mundësia e një shërbimi që është në dispozicion 24/7 është një përparësi.
Kur ke një problem, mund ta ndash atë menjëherë dhe sistemi mund të ofrojë një zgjidhje. Nuk kam asgjë kundër psikologëve, por të rinjtë në Shqipëri janë gjithnjë e më shumë të orientuar nga teknologjia.
Në disa raste, ata madje nuk dalin nga shtëpia. E ardhmja do të sjellë gjithnjë e më shumë përdorim të inteligjencës artificiale. Teknologjitë përmirësohen çdo ditë dhe kjo është një rrugë pa kthim.
Anora Kroj:
Kur planifikon një terapi ose një seancë me psikologun, si klient, ashtu edhe terapisti duhet të organizojnë kohën për të pasur një takim të caktuar.
Kjo është pozitive sepse organizimi i kohës është pjesë e procesit terapeutik. Në momentin që klienti është i gatshëm të investojë kohën dhe energjinë, ky është një hap përpara në procesin e shërimit.
Ndërsa, me një platformë të disponueshme 24/7, mund të krijohet një varësi, sepse mund të kesh akses në shërbim në çdo moment. Pasojat mund të shihen në të ardhmen.
Megjithatë, unë besoj se psikologët nuk mund të zëvendësohen, pasi vetë kontakti fizik në terapinë e zyrës është thelbësor për zgjidhjen e problemeve të shëndetit mendor. Ky është një proces që ka dhënë rezultate të mira për shumë vite.
Kam testuar Chat-GPT me disa pyetje, dhe kam parë se pacientët e kanë përdorur atë për të marrë informacion mbi simptomat e ankthit dhe depresionit.
Kjo është pozitive, sepse ata mund të kuptojnë më mirë problemet e tyre dhe pastaj mund të drejtohen për terapi të specializuar. Sidoqoftë, këshillat që ofrohen nga një psikolog janë më të thella dhe më të personalizuara për nevojat e individëve.



