Pritjen deri në mbërritjen e kryeministrit Rama në kontenierin e familjes Shkalla në Farkë, kryebashkiaku Veliaj e kaloi duke i kërkuar Bedriut të rithoshte publikisht batutën me të birin.
Ardhja e kryeministrit vuri në punë fotografët e bashkisë dhe Kryeministrisë që nuk i kursyen shkrepjet.
Të qenit e Bedriut klarinetist në të shkuarën, Veliaj e përmendi sërish pas mbërritjes së kryeministrit.
Po është dhe shtëpi artisti si klarinetist i fermës që ka qenë
Teksa iu drejtua kontenierit ku është strehuar përkohësisht familja Shkalla, Rama premtoi se shtëpitë e reja që do ndërtojë qeveria do jenë si të amerikanëve dhe gjermanëve.
Ato që ne do të ngremë i kanë të gjitha këto parametra, i përdor Amerika, budallenj janë amerikanët që i përdorin. Nuk duhet me pasë idenë që po të jetë me llaç, me tulla, është më e fortë.
Bedriu është nga të vetmit që shtëpia do i rindërtohet në tokën e tij, pasi për të tjerët nuk do të ketë favorizime.
Ti qe je në tokë tate, do ta sjellim shtëpinë këtu siç porosit kryeministri… Në këto raste, shtëpia bëhet këtu, në raste të tjera nuk do i pyesim shumë.
Më tej, kryeministri nuk i kurseu batutat edhe për kryebashkiakun Veliaj.
Lali do lëng karrote, do të rritet... Ta shtoftë Zoti humorin se ti në ditë të këqija je në humor
Jo pa qëllim, Veliaj këmbënguli për herë të tretë që Bedriu t’i tregonte kryeministrit arsyet pse djali refuzonte t’i merrte zanatin, një batutë që vetë Veliaj e përjetoi me shumë humor.
Thuaj kryeministrit pse nuk e merrte zanatin çuni… Zanatin nuk e merr se është zanat jevgjish, batutë e bukur ishte.
Humori me jevgjit ishte epilogu i një vizite që kryebashkiaku i Tiranës e kishte përgatitur me shumë kujdes në zbatim të porosive të kryeministrit, siç ai vetë e përmendi gjatë gjithë kohës që qëndroi në kontenierin e familjes së Bedriut.



