Drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndëretnike, Fatmir Sheholli, tha në Mcn Live se situata në marrëdhëniet Kosovë-SHBA është shumë problematike. Ai kërkoi që kryeministri Edi Rama dhe Parlamenti i Shqipërisë ta ndihmojë Kosovën për të dalë nga balta ku e ka futur Kurti. Sipas Shehollit, Kurti ka mbjellë një farë anti-amerikanizmi te votuesit e tij, që po tregohen apatikë. Sa i takon çështjeve të Sigurisë Sheholli theksoi se Kosova duhet të jetë vigjilente, pasi jetojmë në një botë të trazuar.
“Kjo deklaratë e Vuçiçit vjen në një periudhë kur janë të tensionuara situatat në disa vende, në Europë, në botë. Si duket do kemi intensifikim të këtyre çështjeve. Kjo që thotë Vuçiçi, s’është risi për ne në Kosovë. Ata i referohen Kosovës si pjesë të saj. Ajo që është fatkeqësi, është që BE dhe faktori ndërkombëtar është duke e ledhatuar në një farë forme Serbinë. Faktori shqiptar është i pamjaftueshëm që t’ia ndryshojë mendjen faktorit serb, që të pranoj realitetin në Kosovë.
Duhet të jemi vigjilent sa i përket sigurisë, dhe të jemi sa më afër SHBA-ve, sepse po jetojmë në një botë të trazuar. Këto ditë kam vizituar të gjitha komunat me shumicë serbe, pasi po bëjmë një hulumtim. Po ju them një çështje që kam kuptuar që Serbia paguan çdo serb në Kosovë, jo të punësuar, apo të punësuar, nga 300-500 euro për kokë të banorit. Deklarata e Vuçiçit lidhet me protestat në Serbi. Serbët jetojnë shumë mirë në Kosovë. Kanë siguri absolute. Ka mungesë komunikimi, por kjo s’mund t’i atribuohet Kosovës. S’janë në situatë dramatike.
SHBA-të s’kanë vendosur këtë masë pa lidhje, ka diçka që s’shkon. Ka vite të tëra që z.Kurti është nën embargo sa i përket institucioneve kredibile amerikane ndaj tij. Z.Kurti sot ka udhëtuar në SHBA, por zyrtarisht e ka thënë vetëm zyra e tij, por s’ka asnjë takim zyrtar. Ky sanksion fuqizohet edhe më shumë kur Sekretari Rubio ka një shtrëngim duarësh me Osmanin dhe Vuçiçin. Situata është shumë problematike sa i përket marrëdhënieve Kosovë-SHBA, dhe veçanërisht këtë problem e kanë me Kurtin.
Ne kërkojmë edhe nga kryeministri Rama, Parlamenti i Shqipërisë, shqiptarët në Malin e Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës ta ndihmojnë Kosovën nga kjo baltë ku na ka futur Kurti, me SHBA-të. Besoj një fjalë të mirë dhe diplomaci Shqipëria ka nevojë. Fakteqësisht kemi një kryeministër, ose ish-kryeministër, me një kyreneçësi të pashpjegueshme. Ka mbjellë një farë anti-amerikanizëm te votuesit e tij, sepse shoh një apati totale te qytetarët”.



