PD ka vijuar me denoncimin e abuzimeve të tenderave sekretë të qeverisë për blerjen e pajisjeve mjekësore në lidhje me përballimin e pasojave të koronavirusit.
Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka deklaruar se tenderi sekret i qeverisë për respiratorët është dukshëm një rast i korrupsionit dhe zhvatjes së parave të qytetarëve, pasi rezulton se respiratorët janë blerë me afërsisht dyfishin e çmimit real.
“Një respirator është blerë nga qeveria me gati dyfishin e çmimit të tregut. Një respirator është zhdoganuar me 7.7milionë lekë dhe është blerë nga qeveria me 14 milionë lekë, pra me çmim gati 2 herë më të lartë. Janë këto çmime stratosferike dhe abuzive arsyeja pse Edi Rama i mban këta tendera sekret, duke paguar qindra milionë lekë më shumë klientët e tij në kohën më të vështirë për qytetarët. Vetëm kompanisë TBS 96, që ka shkelur kontratën për respiratorët, qeveria e Edi Ramës i ka paguar nga paratë e shqiptarëve 11 milionë euro në 6 vjet”, deklaroi Vokshi.
Më tutje, ish-deputetja vuri në dukje se tenderi ishte për 54 respiratorë, por kompania ka sjellë vetëm 5 brenda afatit të caktuar në prokurim sekret.
“Kushti kryesor i tenderit ishte koha e shpejtë e sjelljes së respiratorëve. Kompania fituese duhet të sillte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe të tjerat më vonë. Por kjo nuk ndodhi. Kontrata u shkel në mënyrë flagrante. Dokumentet qe ne kemi siguruar tregojnë se kompania TBS 96 ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54. Megjithatë qeveria nuk e ka prishur kontratën me të, siç e detyron ligji në raste të tillla. Ka vetëm një arsye që mund të çojë një zyrtar të mos zbatojë ligjin dhe ky është rryshfeti, korrupsioni, vjedhja”, shtoi Vokshi.



