Drejtori i Politikave Monetare të Bankës së Shqipërisë, Erald Themeli thotë se forcimi i kursit të këmbimit është një produkt i derivuar në tregun e brendshëm valutor dhe në origjinë të të cilit qëndron përmirësimi i bilanceve të shkëmbimeve me jashtë.
Në një intervistë për emisionin “MCN Economy” ai deklaroi se ekonomia shqiptare në vitin 2018-2019, para tërmetit dhe para pandemisë ka patur një vëllim total eksportesh prej 4 miliardë eurosh, ndërsa viti 2024 u mbyll në nivelin 9.1 miliardë euro.
Sipas tij, në origjinë të këtij përmirësimi qëndron sektori i turizmit, një realitet që është i prekshëm për një pjesë të madhe të publikut shqiptar, pasi nga një fluks financiar hyrës valutor prej 2 miliardë eurosh para 4-5 vitesh, në 2024 ka gjeneruar 5 miliardë euro në ekonominë shqiptare.
Themeli shtoi se kredia me probleme është në rënie, në nivelet minimale të 15 viteve të fundit në nivelin 4%, por shihet rritje e peshës së kredisë në lekë, nga 25% një dekadë më parë, aktualisht është në nivelin 55%.
Drejtori i Politikave Monetare në BSH, deklaroi se rreth 2/3 e portofolit të kredisë bankare shkon për bizneset shqiptare dhe segmenti i kredisë për rritjen më të shpejtë vjetore vazhdon të jetë kredia për bizneset.
Në ekonomi në tërësi ndikimi i kursit të këmbimit është pozitiv për sa kohë ekonomia shqiptare gjeneron më shumë të ardhura, gjeneron më shumë punësim dhe paga, edhe pse nuk i prek të gjithë sektorët në mënyrë simetrike.
Nga ana tjetër, forcimi i kursit të këmbimit përmirëson thuajse të gjithë ekuilibrat ekonomik dhe financiar të vendit, qoftë reduktim të borxhit publik, reduktim të borxhit të huaj.
Nuk është rastësi fakti që edhe tre përmirësimet e renditjes së rrezikut të borxhit të Shqipërisë gjatë vitit të fundit janë marrë në kontekstin e një ambienti forcues të kursit të këmbimit.
Forcimi i kursit të këmbimit në një moment kur ekonomia shqiptare po përballej me një nivel të lartë inflacioni ka qenë i dobishëm në përballimin e kësaj vale inflacioniste që vinte nga tregu i huaj.
Por kemi qenë mjaft më pak agresiv në raport me bankat e tjera qendrore për të normalizuar ose për të rritur më gradualisht normën bazë të interesit.
Forcimi i kursit të këmbimit i ka sjellë ekonomisë shqiptare një ambient me çmime më të ulëta konsumi, në raport me një situatë hipotetike të 2-3 viteve më parë.
I ka mundësuar ekonomisë shqiptare të ketë një ambient financiar me norma më të ulëta interesi dhe kosto më të ulëta financimi, me kreditim në rritje dhe pa vështirësi për kredimmarrësit në ekonominë shqiptare.
Rritja e kreditimit vjen prej kërkesës për kredi, të gjithë bizneset shqiptare por edhe individët kanë nevojë për mjete financiare për të rritur kapacitetet prodhuese të tyre.
Por nëse kjo kërkesë e rritur, nëse nuk përballet me një ofertë të mirë të kredisë bankare, nuk do të prodhonte gjë përveçse çmime më të larta kredie dhe norma më të larta interesi.
Patjetër që normat e ulëta të interesit që ne kemi arritur të mbajmë, kanë mundësuar rritjen e portofolit të kredisë në nivele 15-16% gjatë tremujorëve të fundit.
Kredia me probleme është në rënie, në nivelet minimale të 15 viteve të fundit në nivelin 4%.
Por shihet rritje e peshës së kredisë në lekë, nga 25% një dekadë më parë, aktualisht është në nivelin 55%.
Rreth 2/3 e portofolit të kredisë bankare shkon për bizneset shqiptare dhe segmenti i kredisë për rritjen më të shpejtë vjetore vazhdon të jetë kredia për bizneset.
Bizneset shqiptare kanë uri për mjete financiare, për t’i shërbyer kërkesës në rritje që kanë për produktet e tyre, kryesisht në hoteleri-turizëm.
Aktualisht kemi një normë vjetore të rritjes së depozitave rreth nivelit 8.5%. Depozitat në lekë kanë një rritje vjetore rreth nivelit 9%, ndërsa depozitat në valutë kanë një rritje më të ngadaltë rreth nivelit 8%.
Por rëndësi ka fakti që ekonomi shqiptare është duke shtuar kursime financiare, të cilat janë premisë për financimin e kredive të sektorit bankar.
Sektori bankar ka likuiditet të mjaftueshëm, arrin të gjenerojë depozita, për të mbuluar nevojat financiare dhe për kreditim.
Sa i takon tarifave të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump ndaj Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera, ai deklaroi se në varësi të goditjes apo masave që mund të ndërmerren nga administrata amerikane dhe nga ekonomi të tjera mund të ketë impakte në ekonominë shqiptare.
Për momentin ka më shumë deklarata dhe retorikë se sa masa konkrete, megjithatë pasiguria në tregjet botërore është e lartë.
Ekonomia shqiptare ka një ekspozim direkt mjaft të ulët ndaj ekonomisë amerikane.
Kanalet tregtare vëllimi i importit dhe eksportit me SHBA, por edhe marrëdhëniet tregtare, janë minimale dhe mjaft të ulëta në raport me Bashkimin Europian.
Megjithatë çdo politikë tregtare e Amerikës mund të përkthehet në Shqipëri, në atë masë që prek partnerin tonë ekonomik, Eruozonën. Edhe ekonomia shqiptare mund të ketë pasojat e saj.
Në rast se Europa do të përballet me rritje të shpejtë tarifash për eksportet e saj ndaj tregut amerikan, kjo do të jetë një goditje negative për Europën në termat e inflacionit.
Kjo do të ishte premisë për një ulje të çmimeve, ose një rritje më të ngadaltë të çmimeve në Eurozonë në raport me trendet aktuale.
Dhe kjo do të kishte pasojat e veta edhe në tregun shqiptar, një rritje më të ngadaltë të çmimeve.



