
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-mesazh të shkurtër të premten tha se ukrainasit kanë mbrojtur vendin e tyre për 100 ditë kundër agresionit rus dhe se "fitorja do të jetë e jona".
"Udhëheqësit e fraksioneve parlamentare janë këtu, shefi i kabinetit të presidentit është këtu, kryeministri i Ukrainës [Denys] Shmyhal është këtu, [këshilltari i presidentit Mykhailo] Podolyak është këtu, presidenti është këtu. Ekipi ynë është shumë më i madh. Forcat e armatosura tw Ukrainës janë këtu. Më e rëndësishmja, njerëzit tanë, njerëzit e vendit tonë, janë këtu. Ne kemi mbrojtur Ukrainën për 100 ditë. Fitorja do të jetë e jona. Lavdi Ukrainës", tha Zelensky.
Ndërsa nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov vlerësoi të premten rezultatet e 100 ditëve të para të luftës në Ukrainë, duke thënë se "rezultate të caktuara" janë arritur dhe puna do të vazhdojë derisa të përmbushen të gjitha qëllimet.
“Operacioni ka si synim kryesor mbrojtjen e njerëzve në DPR dhe LPR. Për sa i përket sigurimit të mbrojtjes së tyre, po merren masa dhe janë arritur rezultate të caktuara”, u tha Peskov gazetarëve në një konferencë të rregullt.
Peskov tha se shumë vendbanime "janë çliruar nga forcat e armatosura pro-naziste të Ukrainës, si dhe drejtpërdrejt nga elementët nacionalistë", duke përsëritur justifikimin e pabazë të Kremlinit për luftën.
“Njerëzve u është dhënë mundësia që të fillojnë të krijojnë një jetë të qetë. Kjo punë do të vazhdojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak”, tha ai.
Jetët e njerëzve të panumërt janë përmbysur gjatë luftës, me mijëra të vdekur dhe miliona të zhvendosur për shkak të pushtimit.



