Politologu Roland Bejko komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV pezullimin e fondeve të USAID-it nga Administrata Trump.
Bejko tha se nëse SHBA tërheq mbështetjen politike për SPAK-un, ky i fundit do të dobësohet dhe do të humbasë autoritetin.
Megjithatë Bejko vë në dukje se kjo mbetet për t’u parë, në varësi të fokusit që do ketë Presidenca Trump.
“Nga pikëpamja e këndvështrimit si një amerikan, je dakord me vendimin që ka marrë presidenti, sepse ishte nevojë urgjente verifikimi i të gjitha fondeve që janë lëvruar përmes OJQ-ve dhe organizatave donatore si USAID. Nga pikëpamja e një shqiptari natyrisht ne na vjen keq që fondet u ndërprenë, sepse ishin struktura ndihmëse për demokracinë, drejtësinë, rendin, rritjen e kapacitetit për çështjet e menaxhimit, luftës kundër korrupsionit. Krijojnë një lloj kosto. Lajmi i mirë është që fondet janë pezulluar përkohësisht, 90 ditë, është kohë e shkurtër dhe verifikimi ka filluar. SPAK-u në radhë të parë nuk cenohet në mënyrë thelbësore, në mënyrë anësore po. Humbet disa trajnime, që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve profesionale. Institucione të tjera edhe cenohen, si Gjykata e Lartë”.
I pyetur do dobësohet veprimtaria e SPAK-ut në hetime, Bejko tha:
“Mbështetja politike që i vjen SPAK-ut nga qeveria amerikane, kjo duhet parë, nëse Presidenca Trump do ketë të njëjtin fokus, për luftën ndaj kriminalitetit, politikanëve të korruptuar, nëse do konsiderohet rrezik për demokracinë dhe ekonominë amerikane do mbështetet. Nëse do konsiderohet çështje e brendshme e Shqipërisë, ata do tërhiqen. Nëse SHBA-të tërhiqen, pavarësisht se mbështetja financiare është minimale, SPAK-u do dobësohet, do bjerë autoriteti, s’do ketë as mbështetjen e brendshme në perceptimin qytetar, dhe do marrin revansh forcat e errëta, ku e kam fjalën edhe për politikanët e lartë që janë në luftë të ashpër me SPAK-un dhe krimi i organizuar. Do vjedhin edhe më shumë, do shtypin edhe më shumë, dhe nga vendi do ikin më shumë qytetarë”.
Bejko e konsideron një lajm të mirë për shqiptarët kalimin e Rubios si administrator të USAID-it.
“Rubio ndryshe nga pjesa tjetër e stafit të Trump, që është i fokusuar te ekonomia, Rubio është i fokusuar te demokracia, drejtësia, liria. Dhe kalimi i USAID te Rubio është lajm i mirë për shqiptarët”.
Ai shprehu besimin se projektet që lidhen me drejtësinë, sigurinë dhe integrimin e Shqipërisë do të vazhdojnë.



