
Autoritetet në Bjellorusi kanë arrestuar një gazetar të njohur i cili punon për Radion Evropa e Lirë/Radio Liberty e financuar nga SHBA, hapi i fundit i një sërë goditjesh prej vitesh ndaj figurave të opozitës, gazetarëve të pavarur dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Shoqata Bjelloruse e Gazetarëve tha se Ihar Karnei, 55 vjeç, u arrestua në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, të hënën në atë që njihet si luftë ndaj disidencës. Apartamenti i tij u bastis, ku policia sekuestroi telefona dhe kompjuterë, tha vajza e Karneit, Polina për Associated Press. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim lidhur me arrestimin dhe kontrollet. Megjithatë, Radio Evropa e Lirë është etiketuar si ekstremiste në Bjellorusi dhe puna me të ose përhapja e përmbajtjes së saj dënohet deri në shtatë vjet burg. Karnei ka punuar me shërbimet bjelloruse dhe ruse të REL që nga viti 2000. Grupi më i vjetër dhe më i njohur i të drejtave të njeriut në Bjellorusi, Viasna, raportoi se Karnei po mbahet në qendrën e paraburgimit në Akrestina, e njohur për kushtet e vështira dhe torturimin e të burgosurve. Sipas Viasna, as avokatët dhe as anëtarët e familjes nuk kanë mundësi aksesi në Karnei. Gazetarët dhe aktivistët në Bjellorusi janë përballur me shtypje në shkallë të gjerë që nga votimi i gushtit 2020, proces i cili i dha një mandat të gjashtë Presidentit Alexander Lukashenko. Pas zgjedhjeve, të cilat u refuzuan si mashtruese nga opozita dhe Perëndimi, Bjellorusia u përfshi nga protesta masive, disa prej të cilave tërhoqën më shumë se 100 mijë persona. Autoritetet u përgjigjën me një goditje brutale. Më shumë se 35 mijë persona u arrestuan, mijëra të tjerë u rrahën nga policia ndërsa ishin në paraburgim dhe dhjetëra organizata joqeveritare dhe media të pavarura u mbyllën. Gjithsej 36 gazetarë ndodhen aktualisht pas hekurave në Bjellorusi. Karnei u arrestua disa herë ndërsa mbulonte protestat. Ndryshe nga shumë kolegë të tij, ai ka mbetur në Bjellorusi pavarësisht nga presionet me të cilat është përballur.



