Investitorët strategjikë, impakti në ekonomi

Investitorët strategjikë, impakti në ekonomi

Ishte viti 2015 kur Partia Socialiste miratoi në Kuvend nismën ligjore për investimet strategjike.

Ligji pati kundërshti nga opozita në atë kohë duke argumentuar dy pika: cënimin e parimit të pronës private pasi lejohej shpronësimi për projekte strategjike që cilësohen me interes publik, dhe deformimin e konkurrencës në treg. Skeptikë për këtë të fundit ishin edhe vetë deputëtët e mazhorancës.

Që nga ajo kohë dhe deri më sot, ligji për investimet strategjike po përfundon vitin e tij të 7-të, por ndryshe nga sa u tha dhe premtua, nisma devijoi drejt klientelizmit dhe shpërblimin e një dore biznesmenësh afër pushtetit.

Shumica e projekteve strategjike janë në fushën e turizmit. Nga 37 vendime të marra në total nga Komiteti i Investimeve Strategjike 26 janë në fushën e turizmit, 3 në bujqësi, 3 në energji, 2 për porte turistike, 1 në ndërtim dhe 2 në industrinë automotive. Për ekspertët, devijimi i sektorëve prioritarë, jo vetëm ka deformuar parimet kryesore të ligjit por është duke u përdorur nga grupet e bizneseve si një mundësi e artë për të përfituar tokë falas. Këta investitorë marrin tokë shtet me vlerë simbolike 1 euro, dhe në rastet që toka është private iu lind e drejta ta shpronësojnë atë.

Përveç sektorit të turizimit, i cili de facto mbështetet te industria e ndërtimit, qëllimi kryesor i ligjit të pompuar me të madhe në ato vite, ishte thithja e sa më shumë kompanive të huaja për të ardhur në Shqipëri. Në 7 vjet 3 investimet e vetme të huaja janë fabrika  e prodhimit të pjesëve të makinave e firmës koreane Yura, ndërtimi i kullave në Tiranë nga një kompani me bazë në Arabinë Saudite dhe termocentrali i qymyrit në Korçë. Ky projekt më pas u revokua nga autoritetet për shkak të ndotjes që shkaktonte dhe sot po përball Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. 

Në fushën e turizmit janë vetëm 3 projekte strategjike që kanë me kapital të përbashkët shqiptar dhe të huaj. Nga 27 investitorë strategjikë të shpallur në total, 24 janë firma shqiptare. Disa mdaje e kanë përfituar disa herë këtë privilegj. Biznesmeni Samir Mane është shpallur investitor strategjik në 4 projekte, “New Born” në Hamallaj, “Green Coast”, “Green Coast 1” dhe “Green Coast 2”  në Palasë.

Dy herë investitor strategjik me një projekt në gjirin e Lalzit dhe një në Dhërmi është edhe firma Concord Investment në pronësi të vëllezërve Dulaku.

Kompania Gjikuria është shpallur investitor strategjik në projektin Coast to Coast në Dhërmi dhe Ëhite Roads në bregdetin e Gjilekës. 

Sot pyetja që ngrihet është se çfarë zhvillimi i kanë sjellë ekonomisë së Shqipërisë projektet që zyrtarët e lartë i kanë dhuruar këtyre bizneseve?

Në total, vlera e projekteve të miratuara në fushën e turizimit është 1.75 miliard euro, ku 790 milion euro janë në qarkun e Vlorës.

Nga këto projekte, janë 5 investime që kanë nisur të zbatohen që në vitin 2016 dhe kanë përfunduar ose janë drejt fundit të tyre. Në total investitorët kanë premtuar si kusht për të marrë statusin se do të investojnë 170 milion. Po të bëjmë krahasimin me të dhënat zyrtare që ka publikuar Instituti i Statistikave për rritjen e ekonomisë në qarkun Vlorë, rezulton se ekonomia për 4 vjet, nga 2016-ta deri më në fund të 2020-s është rritur vetëm 116 milion euro.

Një tjetër aspekt që duhet të shihet është edhe kriteri ligjor i numrit të vendeve të punës që hapin këto projekte. Që të marrësh statusin strategjik në turizëm, ligji kërkon që të hapësh mbi 80 vende pune. Por po të shohësh në detaje, projektet strategjike kanë vendosur shifra kontradiktore. Për shembull, projekti i kompanisë Delta në Dhërmi, tregon se do të investojë 155 milion euro dhe do të hapë 200 vende pune. Një tjetër projekt është Dhërmi Resort, në pronësi të Gazmend Pajës dhe Lulzim Mehmetaj. Këta të dy kanë dërguar në Komitetin e Investimeve Strategjike një projekt me vlerë investimi 13 milion euro dhe do të hapin 200 vende pune. Vlera e investimit është 140 milion euro më pak, por premtojnë se do të punësojnë të njëjtin numër.

Sipas dokumentave, vetëm projektet e dhëna në turizëm, duhet të sillnin punësimin e 7077 personave.

Kronos iu drejtua zyrtarisht përmes një kërkese për informim Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve për të pyetur për numrin e personave të punësuar, ecurinë e projekteve dhe revokimet e statusit të investitorit strategjik. Por në përgjigje thuhet se nuk është kjo agjenci që bën monitorimin, dhe këto të dhëna merren nëse kompanitë kanë lidhur marrëveshje me autoritetet, nëse ka një të tillë.

“Monitorimi i numrit të të punësuarve dhe vlerave të investimit realizohet nga strukturat e ngarkuara për monitorim, sipas kontratës së nënshkruar me “autoritetin” (kur ka një të tillë).  

Komiteti i Investimeve Strategjike nuk ka marrë asnjë masë për revokimin e vendimit për dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.

Me të dhënat e kryqëzuara rezulton se në kompanitë që kanë nisur ndërtimin e hoteleve dhe fshatrave turistikë, numri i punonjësve në organikën e tyre numërohet me gishtat e dorës. Kompania Green Coast në vitin 2021 ka në total 9 të punësuar, Concord Investment 20, AG TÇ, në pronësi të Artan Gaçit ka vetëm 5 punonjës, ndërsa firma që ka marrë statusin strategjik për projektin Kep Merli,  Boiken shpk, ka 19 të punësuar. Këto projekte në momentin e aplikimit kanë premtuar punësime të konsiderueshme. Projekti i Green Coast parashikon 250 të punësuar, Gone Perivol 200, San Pietro 250, Dreamades Luxyry Suites 120 dhe Kep Merli 263.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy