Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se personat me aftësi të kufizuara ose aftësi ndryshe përballen me një diskriminim strukturor dhe sistemik.
Gajda theksoi se ky target grup duhet më së pari të ketë qasje në godinat e institucioneve shtetërore dhe shërbimeve publike. Mandej shteti duhet ta përshtasë informacionin edhe për persona si të verbrit, apo duke përdorur gjuhën e interpretimit të shenjave.
Komisioneri vuri në dukje se as vet administrata publike s’e respekton ligjin që 1/25 punonjës të jetë me aftësi të kufizuara.
"Aftësia e kufizuar mbetet një nga problematikat më të mëdha që kemi, e kemi vlerësuar si diskriminim strukturor dhe sistemik. Ka shumë aftësi të kufizuara të ndryshme. Një nga diskriminiminet më të mëdha është aksesi në institucione, mungesa e përshtatshmërisë së godinave e bën të pamundur të aksesohen institucionet dhe më pas të marrin shërbime. Personat me aftësi të kufizuar nuk kanë përfitim të shërbimeve, mos akses në informacion.
Shteti shqiptar s’i përshtat dokumentet për t’u kuptuar nga të verbrit, s’kemi gjuhën e interpretimit të shenjave. Edhe shërbimi urban është i paaksesueshëm. Në shumë fusha të jetës personat me aftësi të kufizuar, mbeten të pamundur, të kufizuar dhe me shumë barriera. Ligji që 1/25 punonjës duhet të jetë me aftësi të kufizuara s’është zbatuar as nga administrata publike, jo më nga institucionet private.
Qeveria shqiptare, shteti shqiptar, një vit duhet ta vendosi si prioritet për personat me aftësi të kufizuara, ku institucionet shtetërore, shkolla, qendra shëndetësore, gjykata, posta, bashki, do duhet të jenë të aksesueshme fizikisht, dhe më pas informacioni duhet të jetë i përshtatshëm për t’u konsultuar nga personat me aftësi të kufizuar. Kemi goxha numër të personave me aftësi të kufizuar. Bëhet fjalë për 150 mijë. Tashmë duhen zgjidhje të strukturuara, s’mjaftojnë më zgjidhjet individuale, që duhet të vijnë nga pushteti qendror dhe vendor".
Duke folur për shkarkimet nga puna, Gajda tha se rezulton që bindjet politike të jenë arsyeja kryesore pse dikush hiqet nga puna.



