Kandidati republikan presidencial, Vivek Ramaswamy, ka sinjalizuar se synon të tërheqë SHBA-në nga NATO nëse fiton zgjedhjet e vitit 2024, raportoi të premten Politico, duke cituar burime.
Tre persona që janë pranë Ramaswamy, thanë ai i bëri komentet privatisht ndërsa fliste me mbështetësit.
Publikisht, sipërmarrësi amerikan me origjinë indiane e ka konsideruar tërheqjen e mundshme të Uashingtonit nga aleanca ushtarake në të cilën ai luan rolin kryesor si një “ide të arsyeshme”.
Tricia Mclaughlin, zëdhënësja e fushatës së Ramaswamy, as nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi planet e raportuara. Megjithatë, ajo i tha Politico-s se shefi i saj kishte “shqetësime serioze se shumica e aleatëve të NATO-s dështojnë të përmbushin angazhimet e tyre për investime ushtarake”.
Sipas Mclaughlin, kandidati presidencial “beson gjithashtu se ekspansionizmi i NATO-s pas Luftës së Ftohtë ka rritur në mënyrë të panevojshme rrezikun e një konflikti të madh me Rusinë”.
Ramaswamy nuk gëzon një nivel të lartë mbështetjeje as në mesin e anëtarëve të partisë së tij, duke u pasuar pas kandidatëve të tjerë presidencialë të GOP-veçanërisht Guvernatori i Floridës Ron DeSantis dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili konsiderohet gjerësisht si kryesuesi. Megjithatë, Politico sugjeroi që Ramaswamy potencialisht mund t'i bashkohet një administrate të udhëhequr nga Trump, i cili e ka pozicionuar veten si një skeptik i NATO-s.



