Lufta në Lindjen e Mesme ka çuar në rritjen e ndjeshme të çmimit të karburanteve në vend duke sjellë vështirësi për Shoqatën e Transportit. Dashnor Mema, nga Shoqata Kombëtare e Transportit, tha në studion e MCN Informacion se impakti që ka ky ndryshim te transporti publik e bën të domosdoshme mbështetjen e shtetit për këtë sektor. Mema paralajmëroi reduktimin e flotës së mjeteve me 30% nga e hëna e javës së ardhshme.
Transporti publik në Bashkinë e Tiranës konsumon 635 mijë litra karburant. Pra 400 mijë euro kosto e shtuar. Impakti është shumë i rëndë në strukturat e transportit publik.
Shqipëria paguan 53% taksa mbi karburantin. Për transportin publik, taksa e qarkullimit duhet të jetë zero. Është një taksë e padrejtë. TVSH është 20%. Vendet e tjera e kanë nga 0 në 12% për transportin publik.
Kërkojmë rimbursim. Nuk ka pasur reagim, ndaj duke nisur nga e hëna do të ketë 30% më pak autobusë në qarkullim. Është një rritje e drejtpërdrejtë. Jo vetëm e karburantit por edhe e pjesëve të këmbimit.
Bordi i Transparencës nuk ka asnjë efekt te transporti publik. Ne na janë rritur kostot dhe ky bord vepron vetëm në momentin që kalohet në 220 lekë për litër.



