Politologu Ilir Kalemaj, e cilëson si lajm të mirë nisjen e regjistrimit të emigrantëve për të votuar.
Nga studio e lajmeve të MCN TV ai deklaroi se emigrantët kanë pritur tre dekada për të votuar, pasi më parë ka pasur shqiptarë që kanë sakrifikuar dhe shpenzuar për të ardhur dhe dhënë votën e tyre në vend, ndërsa sot është shumë më lehtë dhe më pak e kushtueshme.
Kalemaj deklaroi se për një formacion të ri politik, duke qenë se vota llogaritet sipas qarkut, është shumë e vështirë të thyhet herësi dhe se mundësia e vetme e përfaqësimit është që partitë e mëdha të përfshijnë në listat e tyre edhe përfaqësues të diasporës.

Kemi hapin pozitiv që iu mundëson atyre që të marrin pjesë në këtë proces. Sikur të gjithë emigrantët të marrin pjesë të gjithë të votojnë, është thuajse njëlloj sa numri i atyre që votojnë në Shqipëri.
Shqiptarët kanë një nga përqindjet më të larta të votimit të personave realë që janë në Shqipëri. Aktualisht janë 2.4 milionë banorë në Shqipëri dhe votojnë rreth 1.6 apo 1.7 milionë banorë.
Ka zëra se nga diaspora që rreth 150 mijë prej tyre do votojnë. Nga disa mijëra që vinin, tashmë do kemi rreth 150 mijë.
Partitë politike janë angazhuar për votën e tyre, më shumë mazhoranca se ka më shumë burime, më pak opozita për shkak të problemeve të brendshme të saj.
Angazhimi më i madh është kryesisht në Greqi dhe Itali ku është dhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë.
Një ligj që duhet të kishte kërkuar opozita me insistim ishte të vendoste një kufi kohor, që në votime të merrnin pjesë ata që kanë ikur maksimumi deri një dekadë më parë nga Shqipëria.
Është pak e padrejtë nëse i jep të drejtën e votës atyre që kanë 30 vjet që kanë ikur e nuk janë kthyer.
Nëse do kishte një limit kohor ta zëmë në dhjetë vitet e fundit, opozita do të ishte më e avantazhuar.
Ata që ikën në 1991-1992 kanë arsye të tjera pse janë larguar, nuk është se ishin zhgënjyer nga PS apo PD.
Ata që kanë ikur së fundmi janë të zhgënjyer dhe nga realiteti politik dhe nga realitete të tjera.
Skenari më optimist i mundshëm është 1.6 milionë vota nga diaspora, thuajse barazim me votuesit brenda Shqipërisë.
Ata votojnë sipas gjendjes civile në Shqipëri dhe në ato qarqe ku ka diferencë të ngushtë do kenë rol.
Ndërsa ka deklarata për kandidatë nga diaspora por ende asnjë konkretë nëse do të ishte me vlefshme krijimi i një partie e cila ti përfaqësonte, Kalemaj shprehet se në kushtet aktuale nuk është si mundësi përfaqësimi.
Është një organizatë “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” që i përfaqëson.
Që të garosh në zgjedhje politike, ka vetëm një mënyrë të regjistrohesh si parti politike ose si të pavarur.
Për një formacion të ri politik, duke qenë se vota llogaritet sipas qarkut, është shumë e vështirë të thyhet herësi.
Mundësia e vetme është që partitë e mëdha të përfshijnë në listat e tyre edhe përfaqësues të diasporës.
Me përjashtim të zotit Rama, Berisha dhe ndonjë tjetër, të tjerë nuk mund të themi se kanë votë personale jashtë siglës së partisë.
Agron Shehaj mbetet të shihet tani që do të dalë me siglën e vetë, nëse do të marrë të njëjtat vota.
Ngelet për tu parë se sa vota do të marrë Arlind Qorri.
Në përgjithësi emrat që përfliten janë ata që kanë një lidhje me një parti të caktuar dhe për këtë shkak edhe përzgjidhen.
Ndërsa për partitë e reja, Kalemaj thotë se ajo që i penalizon është mungesa e bashkëpunimit mes tyre.



