Nga sot ka nisur muaji i shenjtë i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë, një periudhë e rëndësishme reflektimi, sakrifice dhe përkushtimi shpirtëror. I ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, imami Neki Kaloshi shpjegoi kuptimin dhe peshën që mbart ky muaj për fenë islame dhe për vetë besimtarët.
Muaji i Ramazanit është shtylla e katërt e besimit. Besimi islam ngrihet mbi pesë shtylla dhe një prej tyre është agjërimi i muajit të Ramazanit. Ky muaj ka simbolikë të veçantë sepse në të ka zbritur Kurani Famëlartë, fjala e Zotit, pikërisht në Natën e Kadrit, e cila këtë vit përkon më 17 mars.
Sipas tij, shenjtëria e Ramazanit buron nga pesha e mesazhit hyjnor të zbritur për mbarë njerëzimin.
Zbritja e Kuranit si mesazh i fundit i Zotit i ka dhënë rëndësi kohës kur ka ndodhur. Krijuesi ka komunikuar me njerëzimin që nga fillimi, përmes profetëve, dhe pikërisht kjo e bën Ramazanin muaj me rëndësi specifike shpirtërore.
Imami nënvizoi se agjërimi është obligim për çdo besimtar e besimtare që ka arritur moshën e pjekurisë dhe është i vetëdijshëm për veprimet e tij.
“Agjërimi nuk është thjesht një detyrë, por një ndjesi, një përjetim dhe një kurim i veseve të njeriut. Ai simbolizon atë çfarë njeriu duhet të shmangë në jetën e përditshme”, shtoi Kaloshi, duke përmendur gjithashtu se edhe dispozita të tjera fetare, si mbajtja e shamisë, janë pjesë e përkushtimit, ndonëse askush nuk është i përsosur në çdo aspekt.
Ndërkohë, besimtarja Sara Roli ndau përvojën e saj personale me fenë islame, duke rrëfyer se këtë vit shënon vitin e katërt që agjëron.
Është viti i katërt që agjëroj dhe kur i ndalon vetes disa gjëra, kupton sa mirë të bëjnë. Ndihesh më mirë me veten dhe kjo vijon edhe pas Ramazanit, me leximin e Kuranit dhe lutjet.
Sara theksoi se rikthimi te feja ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme dhe e bërë në një moment të lumtur të jetës së saj.
Unë jam kthyer te besimi im sepse kam lindur myslimane. Shpesh mendohet se një vajzë e bën këtë zgjedhje për shkak të zhgënjimeve, por unë e kam përqafuar besimin islam kur kam qenë mjaft e plotësuar. Vendosa të mbulohem menjëherë. Familja ime u shokua në fillim, por nuk ishte kundër dhe sot ndihen mirë për ndryshimin tim. Edhe shoqëria më ka mbështetur.
Muaji i Ramazanit konsiderohet një periudhë pastrimi shpirtëror, solidariteti dhe afrimi me Zotin, ndërsa për besimtarët përfaqëson një kohë reflektimi të thellë dhe përmirësimi personal.



