
Shqipëria është gjetur për herë të fundit në krizë energjetike në vitin 2005. Për shkak të thatësirës dhe keqmenaxhimit, sipas opozitës së sapoardhur në pushtet, tremujori i dytë i atij viti kulmoi një nga krizat më të rënda që ka kaluar vendi në sektorin e energjisë.
Një sprovë e jashtëzakonshme për qeverinë e re të Berishës, kriza u shoqërua me kufizime që shkonin deri në 14 orë në zonat urbane, ndërkohë që në zonat rurale deri në 20 ore në ditë. Rreshjet e dendura të shirave që mbushën bazenet e hidrocentraleve, si dhe sigurimi i një sasie emergjente të energjisë nga vendet fqinje e normalizuan situatën, por kostoja erdhi në një formë tjetër, në atë të humbjeve materiale dhe financiare për mijëra familje në të gjithë Shqipërinë, nga pasojat e përmbytjeve të mëdha.
Viti 2006 shënoi nisjen e rimëkëmbjes në fushën e energjisë. Deri në vitin 2008, situata e furnizimit me energjie elektrike i ishte kthyer normalitetit.
Në korrik 2012, kryeministri i atëhershëm Berisha shpalli për herë të parë ambicien e qeverisë së tij, “Shqipëria superfuqi energjetike në Ballkan”.
Parlamenti miratoi ligjin për menaxhimin e integruar të ujërave, ndërsa qeveria firmosi 117 kontrata për ndërtimin e 330 HEC-eve.
Koncesioni u pa si mënyra më e mirë për ndërtimin e HEC-eve dhe në kuadër të nismës “Shqipëria, superfuqi e vogël energjetike në rajon” u dhanë mbi 300 leje të tila.
Qeveria Berisha nuk arriti ta çonte në fund këtë synim, pasi në 2013 në pushtet erdhën socialistët. Dy vjet më vonë, në korrik të 2015-s, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, shpalli dështimin e pjesës dërrmuese të HEC-eve të dhëna me koncesion. Nga 353 koncesione, vetëm 53 u konsideruan funksionale, ndërsa 300 të tjera abuzive. Ndryshimi i ligjit për PPP u pa si zgjidhje që do të shmangte abuzimet.
Në shtator të 2019-s, kryeministri Rama i cilësoi të padobishme dhe të dëmshme HEC-et me kapacitet të ulët prodhimi dhe njoftoi ndërprerjen e 27 kontratave, pavarësisht se përgjatë mandatit të parë dhe gjysmës së të dytit kishte dhënë 100 kontrata për HEC-e të tilla.
Në fillim të vitit 2019, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi rishikimin e të gjitha kontratave të koncensioneve në fushën energjisë. 440 hidrocentrale të vogla të dhëna ndër vite iu nënshtruan procesit të skanimit, pasi sipas të dhënave të agjensisë kombëtare të zonave të mbrojtura vetëm 96 prej tyre janë operativ.
Vetëm tre javë më parë, Shqipëria superfuqi energjetike u rikthye si ëndërr, kësaj radhe në mandatin e tretë të Ramës. Në seancën e 16 shtatorit 2021, kryeministri Rama shpalosi projektet që do ta bëjnë vendin një eksportues të energjisë elektrike.
Më 3 tetor, Rama doli para mediave pa paralajmërimin e zakonshëm për të njoftuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kryeministri caktoi si afat fundor gjysmën e dytë të vitit 2022, ndërkohë që pamundësia e furnizimit me energji që prodhohet në vend, rritja e çmimit për shkak të krizës globale që po përjeton ky sektor dhe mundësitë e kufizuara financiare të OSHEE-së rrezikojnë të rikthejnë kufizime të ngjashme me ato të 2005-s.
Akuzat për keqmenaxhim në sektorin e energjisë i kanë karakterizuar të gjitha qeveritë. Skanimi i lejeve të dhëna nga paraardhësi dhe lëshimi i të tjerave, që gjithashtu mund të bëhen subjekt verifikimi nga qeveria pasuese, përgjatë 30 viteve të fundit nuk ka ka arritur t’i japë Shqipërisë, një prej vendeve me burimet më të mëdha hidrike në Europë, komoditetin e të qenit e përgatitur për kriza të tilla.



