
Detaje të tjera janë dhënë nga SPAK lidhur me shkatërrimin e grupit të trafikantëve të lëndëve narkotike. Urdhër-arreste janë lëshuar për zyrtarë, prokurorë e shefa policie. Në një dalje për mediat, SPAK njoftoi se mes të 28 të arrestuarve janë edhe dy punonjës të policisë, të cilët veprën penale e kanë kryer në vitin 2016, periudhë gjatë të cilës mbanin detyrën e shoqëruesve të ministrit të Brendshëm. Në atë kohë, ministër i Brendshëm ka qenë Saimir Tahiri, ndaj të cilit u hap një proces penal në vitin 2017.
“Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe për një administrator publik (drejtor), një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale në vitin 2016 me detyrën e pjesëtarëve të grupit të shoqërimit të ish-Ministrit të Brendshëm. Zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë”, bën të ditur SPAK.



