
Në shënim të Ditës së punëtorëve, 1 Majit, sot në Tiranë u protestua nga të gjitha sindikatave të arsimit në nivel vendi. Sindikatat kishin zgjedhur Ministrinë e arsimit, dhe para këtij institucioni, ata shprehen kërkesat e tyre.
Ata ngritën një sërë shqetësimesh që lidheshin me pagat e ulëta të mësuesve, mosmarrjen e pagës së 13, por dhe mbi cilësinë e arsimit.
Kritika patën edhe lidhur me reformat në arsim, për të cilat sipas tyre nuk është marrë mendimi i mësuesve.
Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Tiranë, Alma Lama, ngriti shqetësimin e presionit ndaj mësuesve nga drejtorët politikë por nuk mungoi dhe thirrja për ti dhënë fund importit të Ministrave.”Ministre, boll mashtruat me reformat tuaja, janë të dështuara. Përfshini mësuesit në reformat tuaja, boll kopjuat shtetet e zhvilluara. Prej vitesh presim premtimet tuaja të pambajtura lidhur me pagat dhe buxhetin në arsim. Gjithë mësuesit janë të frikësuar për vendet e punës, sepse me Drejtorët politikë vetëm presione shohim në shkollat tona. Kemi 6 vite që na mohoni shpërblimin e fundvitit. Nëse do të kemi një arsim cilësor do të kemi një të ardhme, po vrasim të ardhmen. Ju ftojmë të zhvilloni reforma duke përfshirë mësuesit. Boll me Drejtorë politikë dhe Ministra të importuar, kemi kuadrot tona. Boll me figura të paprovuara”, u shpreh znj.Lama.
Nga ana e tij, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Vlorë, kërkoi nga ministria e arsimit rritje 20% të pagës, meqë sipas tij, që nga 2013 është rritur me vetëm 7%.
Protestuesit e sindikatës së arsimit u zotuan se do të përshkallëzohen protestat në gjithë Shqipërinë, me pjesmarrje të 36 mijë mësuesve.
Fill pas kësaj proteste, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila përmes një komunikate për media, thekson se ka dialog të vazhdueshëm me sindikatat për diskutimin e çështjeve të ndryshme si buxheti, nismat e reja dhe sidomos kontrata kolektive. Rritja e përvitshme e pagës së mësuesit do të reflektohet në pagën e prillit nga dita e nesërme.
"Në kuadër të protestës së sotme para ministrisë nga ana e Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dëshiron të theksojë se protesta është një e drejtë dhe "1 Maji" është pikërisht dita kur ushtrohet kjo e drejtë nga sindikatat. Kontrata përfshin të gjitha kërkesat e sindikatave dhe jemi të lumtur që rritja e përvitshme e pagës së mësuesit do të reflektohet në pagën e prillit, të cilën çdo mësues/e do ta ketë në llogarinë e tij/saj duke filluar që nga dita e nesërme. Ndër të tjera, MASR i uron përzemërsisht 1 Majin të gjithë punëtorëve dhe sindikatave", shkruan MASR.



