Gazetari Elkier Bushkolaj, për kërcënimet ndaj drejtorit të përgjithshëm të MCN TV, Endri Meksi, thotë se nuk është normale që të mos ketë asnjë reagim institucional, duke kërkuar hetim të thelluar.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se gjëja e parë që mendoi kur ndodhi kjo ngjarje i kujtoi dosjen e AKSHI-t, ku ndërmerren veprime të tilla nga njerëz që kanë pushtet të madh ekonomik, kanë akses në polici dhe kudo.
Bushkolaj ngriti shqetësimin duke thënë se kur një ngjarje e tillë ndodh me një pronar medie, imagjino çfarë ndodh me gazetarin e thjeshtë.
Sipas tij, nga ngjarja e ndodhur në MCN TV, kuptohet se askush nuk ka imunitet dhe se në situatën që ndodhet Endri Meksi, nesër mund të jetë kushdo pronar mediash.
Ai shtoi se duhet të ketë transparencë për ngjarjen, pasi amullia prodhon ngjarje të tjera.
Bushkolaj u shpreh se ky është një rast konkret ku institucionet duhet të jenë në lartësinë e detyrës.
Kur dëgjova ngjarjen, ndërmend më erdhi një sulm i armatosur mbi godinën e Top Channel dhe dosja e AKSHI-t, dhe konkretisht te Geron Meçe, ku persona me logo policie, shkojnë e marrin biznesmenin, e degdisin në malësitë e Elbasanit dhe e detyrojnë të firmosë dokumente. Kemi kriminalizim masiv të ekonomisë. Edhe aty ku bëhet fjalë për para publike. Nuk kemi më tendera që garojnë të gjithë sipërmarrësit. Del se si biznesmenë që kanë marrë tendera publikë, kanë financuar ngarkesa kokaine të trafikuara.
Nuk është vetëm sektori i ndërtimit që po shërben për pastrimin e parave, por kemi dhe Call Center. Ne kemi operacione të policisë që dekonspirohen. Është e pamundur që të marrim një dosje të SPAK, që ne të mos kemi elementë të strukturave të larta të Policisë së Shtetit, që të mos jenë përfshirë në aktivitetin kriminal. Nuk është normale në një ambient ku punojnë qindra punonjës së medias, të vijnë për herë të dytë dhe të mos ketë asnjë reagim isntitucional. Si kanë mundësi që policia ka mekanizma perfekt për menaxhimim e protestës së opozitës dhe nuk kanë mundësi të menaxhojnë ngjarje të tilla.
Këtu nuk kanë imunitet as biznesmenët. Këtu ka shumë biznesmenë që për të mbijetuar në treg, janë të detyruar të hapin dyert për paratë e pista. Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet njerëzore dhe profesionale, që nëse e ka vullnetin, e ka mundësinë që të zbardhë ngjarje. Në gjykimin tim për këtë ngjarje mungon vullneti. Po flasim për një ngjarje që ka nevojë për hetim skrupuloz. Për AKSHI-n, SPAK e thotë vetë kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal dhe zoti Meksi hedh akuza.
Përtej kërcënimit me jetë të zotit Meksi apo punonjësve, kemi dhe qindra milionë që nuk e dimë se si janë shpenzuar. Gjëja e parë kur ndodhi kjo ngjarje mu kujtua dosja e AKSHI-t, se ndërmerren veprime të tilla nga njerëz që kanë pushtet të madh ekonomik, kanë akses në polici dhe kudo. Mund të jetë pista e basteve, e sektorit të ndërtimit. Kur flasim për sektorin e ndërtimit, flasim për një sektor që sot e kësaj dite drejton ekonominë. Nuk iu tek dikujt sot që të shkojë në dyert e televizioni dhe kërcënojë.
Kur ndodh me një pronar medie, imagjino çfarë ndodh me gazetarin e thjeshtë. Kur flasim për mediat duhej një vëmendje më serioze dhe hetim i thelluar. Një sipërmarrës kërcënohet dy herë brenda dhjetë ditësh dhe nuk ka asnjë reagim nga institucionet. Nga ngjarja e ndodhur në MCN TV, kuptojmë se sot askush nuk ka imunitet.
Në këtë situatë që është sot zoti Meksi, nesër mund të jetë kushdo pronar mediash. Se shumica e tyre janë biznesmenë. Pyetja që shtrohet është deri ku shkon kriminalizimi këtu? Pyetja që shtrohet a ushtrohet presion ndaj një grupi kriminal për t’u tërhequr nga tenderi. Ergys Agasi patjetër që është përgjegjës, por ai ka dikë sipër, Kryeministrin Edi Rama. Duhet të ketë transparencë për ngjarjen, se amullia prodhon ngjarje të tjera. Ky është një rast konkret ku institucionet duhet të jenë në lartësinë e detyrës.



