
Xhisiela Maloku, vajza që denoncoi për dhunë djalin e deputetit të Fushë-Krujës, Rexhep Rraja, ka rrëfyer si ajo e ka përjetuar këtë ngjarje që prej bërjes publike, duke shtuar se ka rënë nga pesha 12 kg.
Vajza deklaroi se ka mbaruar shkenca politike dhe se tani është në master për shkenca ndërkombëtare, por, pas ngjarjes që ka ndodhur shprehet se nuk e di nëse ka dëshirë ende që të bëhet politikane.
“Unë jam rritur me nënën dhe motrën, pasi babanë e kam humbur përpara 20 vitesh. Kam qenë vetëm 3 vjeç kur u vra në vitin 1997. E mbaj mend shumë pak. Mungesën e tij e kam ndier shumë, në çdo moment. Mendoj se jeta ime do të kishte qenë më e mirë dhe më e sigurtë me babanë pranë”, ka rrëfyer Xhisiela për emisionin "Open" në Top Channel.
Xhisiela ka thënë se nuk e kanë kërcënuar asnjëherë, dhe se e ka denoncuar nga xhelozia Rexhep Rrajën, pasi kishte mësuar se ai kishte ikur me pushime me të dashurën e re. Ajo ka deklaruar se nuk është përdhunuar kurrë, dhe se ka raport të mirë me familjen e tij, por edhe me të.
“Në asnjë moment nuk e kam thënë që janë fis kriminelësh, atë e ka thënë Emiljano. Tërheqjen e kallëzimit e kam firmosur, të dytin e bëra në SHKB, sepse atë natë jemi sqaruar. Sapo e kam tërhequr, ai ka ikur përsëri në Sarandë me pushime”, thotë Xhisiela.

Vajza tregon se ndarja erdhi pa kuptim.
“Ndarja erdhi… kishim tre muaj që grindeshim, nuk ishim dakord me njëri-tjetrin. Ai tha se donte të ndaheshim sepse kishte shumë gjëra që nuk na bashkonin. Jemi takuar shpesh edhe pas ndarjes së parë, takoheshim për t’u sqaruar pse ishim ndarë. Takimi i fundit ka qenë kur jemi parë në komisariat, në 21 korrik”, thote ajo.
Xhisiela tha se dëshmia e saj që është publikuar në media, ku thuhet që është qëlluar me pjesën e pasme të pistoletës, që është qëlluar me grushta, që i është fikur cigarja në pjesën e kofshëve, nuk është e vërtetë.
Në lidhje me aktin e ekspertizës që thotë se ka shenja dhune në trupin e Xhisielës, vajza thotë se shenjat në shpatull janë të vjetra, nga një aksident i mëparshëm.
“Unë nuk e kam lexuar atë ekspertizë, por shenjat në shpatull janë të një aksidenti që kam bërë në Patos. Makina është dërguar në varreza. Unë kam shenjë cigare edhe në vende të tjera sepse sa herë që ziheshim, digjnim veten. Edhe Rexhepin po ta shikoni, ka dhe ai shenja cigaresh. Nga nervat i bëjmë vetë. Absolutisht nuk po e justifikoj Rexhepin, nuk jam nën presion dhe as nën kërcënim. Nuk e kam pranuar mbrojtjen e prokurorisë. E gjithë kjo është bërë vetëm për një zënkë xhelozie. Nuk më ka djegur me cigare dhe nuk më ka kërcënuar me pistoletë. Thjesht më ka goditur me shuplakë. Nuk e di pse ish-oficeri i policisë më ka nxjerrë mua në media dhe po përdor njerëzit e pafajshëm, duke nisur nga babai i Rexhepit, deputeti Rrahman Rraja”, shprehet Xhisiela.



