Dy gazetarë suedezë u arrestuan nga policia turke në juglindje të Turqisë me shumicë kurde pasi kanë filmuar në afërsi të një zone ushtarake, raportoi sot një agjenci turke e lajmeve.
“Dy reporterët e televizionit, të identifikuar vetëm nëpërmjet inicialeve L.N.B dhe R.A.S janë marrë në pyetje më pas janë trasferuar në sektorin e shtetasve të huaj, një seksion i shërbimeve të policisë i ngarkuar për dëbimet”, sipas agjencisë Dogan.
Asnjë detaj tjetër nuk është i mundur për momentin.
Një gazetar francez, Olivier Bertrand i arrestuar javën e kaluar gjatë një reportazhi në juglindje të Turqisë u lirua të dielën e kaluar. Arrestimi i tij u cilësua “i papranueshëm” nga ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Marc Ayrault që kishte kërkuar të lihej i lirë.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan po akuzon gjithnjë e më tepër mediat perëndimore mbështetëse të grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik që kërkojnë ta largojnë nga pushteti.



