
Kina deklaron se të gjithë ata që mbështesin pavarësinë e Tajvanit do të përfundojnë në gjak dhe se stërvitjet ushtarake të nisura rreth ishullit të vetëqeverisur synojnë të dërgojnë një paralajmërim serioz.
Forcat pro-pavarësisë të Tajvanit do të mbeten me koka të thyera dhe gjak të rrjedhur pas përplasjes më Kinën për arritjen e bashkimit të plotë.
Kështu tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin, duke i përshkruar stërvitjet rreth ishullit si një “paralajmërim serioz”.
Kina filloi herët të enjten stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit që do të zgjasin deri të premten, vetëm disa ditë pasi presidenti i ri i Tajvanit Lai Ching-te mori detyrën dhe i bëri thirrje Pekinit që të ndalojë kërcënimet.
Komanda e Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës njoftoi se kishte filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake me përfshirjen e ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe raketore, në zonat përreth Tajvanit.



