Kosova nuk do të mbyllë shkollat e Gylenit edhe pse kërkesa prej qeverisë Turke është duke u bërë tash sa kohë me presion të shtuar. Vetë zyrtarët e lartë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, e disa ministria e deputetë i kanë fëmijët në këtë shkollë.
Ndërkohë që është hera e gjashtë që Turqia e bënë një kërkesë të tillë nga Recep Tayyip Erdogan. Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim i bëjnë thirrje shtetit turk që të qërojë hesapet politike ndërmjet rrymave politike në territorin e vet dhe të mos përzihet në politikat arsimore të vendeve tjera.
Shkollat që janë kërkuar të mbyllën në Kosovë nga Erdogani, janë shkollat ku janë shkolluar e po shkollohen shumë fëmijë të politikanëve, udhëheqësve kosovarë si dhe fytyra të tjera publike në vend. Ky rrjet i shkollave në Kosovë është hapur nga fondacioni i Fetullah Gulenit, kundërshtari politik i Erdoganit.
Në shkollën “Mehmet Akif”, e cila është themeluar nga fondacioni Gulen, e që ndodhet në fshatin Banullë të Lipjanit, ndjek shkollën e mesme edhe djali i presidentit Hashim Thaçit, Endriti. Sipas burimeve të gazetës, Endriti vijon vitin e tretë në këtë kolegj. Ky fakt është përmendur edhe nga vetë Erdogani, i cili është në dijeni se fëmijët e “funksionarëve të lartë” kosovarë janë shkolluar e po shkollohen në këtë shkollë. “A shkollohen aty fëmijët e njerëzve të rëndësishëm në Kosovë? Ju po e bëni llogarinë tani. Llogarinë mos e bëni tani, llogarinë bëjeni për 10 vjet, 20 vjet pas. Këta i kanë bërë hapat e tyre 40 vjet më parë dhe tani filluan t’i korrin rezultatet”, është cituar në medie se ka thënë Erdogan gjatë takimit me Thaçin, në vizitën që ky i fundit ia ka bërë Turqisë. Erdogan ka ofruar një fondacion që të mbështesë shkollimin e kosovarëve, pasi të mbyllen shkollat e Gylen, e që quhet “Maarif”. ..



