
Kryeministri Rama thotë se shqiptarët janë të dashuruar me Europën, por kjo e fundit për momentin e ka humbur dashurinë për veten. Në një konferencë me rastin e nisjes nga puna të misionit Frontex në Shqipëri, Rama tha se 93% e shqiptarëve e duan integrimin në BE, por kjo nuk duhet parë si tregues naiviteti.
“Kanë ardhur në një vend ku 93% e njerëzve mbështesin integrimin në BE. Është një shifër që me siguri nuk gjendet në vendet tuaja për arsye të ndryshme. Por nuk është një arsye për të buzëqeshur me çudi kur e dëgjoni, sepse ne nuk jemi naivë në këtë dashuri thuajse të verbër për BE, që sot kërcënohet nga verbëria ndaj historisë së BE.
Ne jemi thjesht dhe vetëm pjesë e një territori që luftën nuk e ka parë në thjesht në televizor, në arkivat bardh e zi apo përmes filmave të krijuar më pas për të, por e kemi pasur këtu. 500 mijë shqiptarë nga Kosova këtu i ka sjellë lufta. Ashtu sikundër në gjithë këtë rajon, viktima të panumërta ka bërë lufta në kohën kur në BE, lufta konsiderohej thjesht një çështje e zgjidhur e të shkuarës falë BE. Me kënaqësinë e madhe që sot keni ardhur në një vend që në 93% të popullsisë është i dashuruar me Evropën dhe me urimin që në Evropë ta rigjeni dashurinë për vetveten, unë ju falenderoj shumë”, tha ai.



